29 C
Pec
E enjte, 20 Qershor, 2024

Rrëfimi i të mbijetuarve në masakrën e Burgut të Dubravës: Ende bartim plagë në trup, drejtësia nuk u vendos

Sa herë vjen 22 maji, Jakup Rexhepi kujton tmerrin e përjetuar në masakrën e Burgut të Dubravës, në të cilin u vranë 160 të burgosur, e u plagosën mbi 300 të tjerë.

25 vjet pas atij akti makabër, Rexhepi ka rrëfyer se si ka arritur të shpëtojë nga kjo masakër e forcave serbe, që kishin shfrytëzuar bombaridimet e NATO-s që t’i ekzekutonin gjithë të burgosurit.

Rexhepi tregon se si gjatë tentimit për të vizituar familjen e tij, ishte kidnapuar nga forcat serbe për t’u maltretuar nga serbët në burgjet ku e kishin dërguar.

“Gjatë rrugëtimit për ta vizituar familjen pas ofensivës së gushtit, jam kidnapuar nga forcat serbe me ndihmën e ca kolaboracionistëve shqiptarë në afërsi të Blinajës. Prej aty më kanë dërguar në sigurimin shtetëror në Prishtinë. Aty kam pas shtatë ditë vuajtje, maltretime në buzë të vdekjes e pastaj më kanë dërguar në qelinë numër 1 në Prishtinë dhe aty kam qëndruar një kohë të gjatë deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s, e më pastaj na kanë sjellë këtu në burgun e Dubravës”, thotë Rexhepi, teksa tregon edhe për qëllimin që forcat paramilitare serbe kishin mbi shqiptarët.

Ai thotë se nga bombardimet e NATO-s janë vrarë 24 shqiptarë, ndërsa serbët kanë vazhduar me pushkatim.

“Qëllimi ka qenë i ditur për ekzekutimin tonë dhe këtu më 19 maj ka filluar bombardimi i NATO-s dhe nga ato bombardime të NATO-s janë vrarë 24 persona të cilët i kam parë edhe vetë me sy të mi, e më pastaj serbët e kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë vrarë qindra shqiptarë tjerë me qëllim t’i lihet faji NATO-s. Më 22 maj na kanë rreshtuar aty pranë murit, ku isha edhe unë në mesin e atyre të gjithëve dhe papritmas kam qenë në pozicion drejtë, i kam parë granatat kur kanë ardhë dhe fati im që kam rënë në tokë se kam pas pak përvojë lufte dhe nuk kam lëvizur më. Kur kam rënë në tokë, jakna më ka mbetur paksa naltë dhe të gjitha pjesët e jaknës janë shpuar nga plumbat. Kam qëndruar gjysmë ore dhe pas gjysmë ore është qetësuar situata dhe jam ngritur dhe aty kanë mbetur disa që numri i saktë nuk dihet sepse ne jemi munduar t’iu shkruajmë emrat atyre që i kemi njohur dhe aty kanë mbetur afër 200 të vrarë siç është numri dhe mbi 600 të plagosur”, u shpreh Rexhepi.

Rexhepi përmend edhe një gabim që sipas tij e kanë bërë serbët atë kohë.

“Serbët e kanë bërë një gabim të vogël që shumë nuk e dinë. Më 23 maj i kanë sjellë disa gazetarë të huaj në mesin e tyre ka qenë një gazetare nga BBC, ka ardhur me një shok të saj nga Beogradi, sepse ideja e tyre ishte propaganda se kinse shqiptarët janë vrarë nga bombardimet e NATO-s e kur vijnë gazetarët prej Beogradit dhe i shohin njerëzit e vrarë me plumba dhe në atë moment i urdhërojnë që t’i ndërprenë xhirimet se u zbulua e vërteta dhe kjo është arsye përse ne kemi shpëtuar”, u shpreh Rexhepi, teksa tregon se pas katër ditësh forcat serbe në mënyrë të organizuar i kishin larguar nga Dubrava. Thotë se gjatë largimit ka arritur të shohë shumë të vrarë në oborre, puesata e çdo pjesë të Dubravës.

“Kjo (masakër) ka zgjat katër ditë, kjo është masakër e tmerrshme për arsye se ka zgjat gjatë, ne katër ditë as nuk kemi ngrënë e as pirë, veç jemi munduar ta shpëtojmë kokën nëpër puseta e ku kemi mundur. Pas katër ditësh kanë organizuar autobusët. Neve na kanë futur nëpër autobusë, të plagosurit në kamionë e të vrarit kanë mbetur ashtu shtrirë në gjithë oborrin, pusetat, podrumi”, thotë Rexhepi.

Edhe i mbijetuari tjetër i kësaj masakre, Valdet Rama, në një rrëfim për Ekonomia Online, tregon për ato që përjetuan 25 vite më parë, kur kishin filluar bombardimet me 19 maj 1999.

“Unë kam qenë në pavijonin B dhe kemi dalë jashtë, kemi përjetuar ato tmerre, ka pasur të vrarë, të plagosur, siç thash të mbijetuar. Ka vazhduar ajo seri nga 19 maj deri me 24. Me 22 maj na kanë rreshtuar këtu forcat serbe dhe na kanë thënë se këtu më nuk ka siguri dhe duam t’iu transferojmë për Nish, edhe atëherë kanë filluar bombardimet nga ana e serbëve këtu në këtë fushë dhe kemi mbetur afër 300 të plagosur, diku 170 janë të vrarë dhe të tjerët kanë ikur, janë fshehur sepse kanë gjuajtur në çdo kohë, ka zgjatur tri apo katër orë. Unë kam mbetur i plagosur, shtatë plagë i kam në trup dhe pas tri apo katër orëve është qetësuar pak situata, pastaj të burgosurit kanë bartur na kanë dërguar në pavijonin C dhe aty i kam marrë disa trajtime me çarçafë, ku kanë qenë edhe Bislim Zogaj e shumë tjerë, na kanë ndihmuar, na i kanë lidh plagët me çarçafë. Pastaj me 24 maj na kanë transferuar në burgun e Lupjanit, e kështu ka vazhduar në burgun e Pozharevcit dhe jemi liruar me 16 mars 2001”, ka thënë Rama për Ekonomia Online.

Rama ka shprehur zhgënjimin e tij për mos sjelljen e atyre kriminelëve që e kanë shkaktuar këtë masakër, para drejtësisë.

Madje, thotë se pas 25 viteve është intervistuar nga Prokuroria për këtë masakës.

“Pas 24 vjetëve nga kjo ngjarje janë bërë shumë të arritura, por në këtë drejtim, rreth drejtësisë është pak, fare mund të them, nuk ka pasur kurrfarë iniciative që t’i kapë ata kriminelë të kësaj masakre, askush nuk është përgjigjur për këtë masakër dhe ka mbetur si në hije. Në fakt ne e dimë çka ka ndodhur këtu, si të mbijetuar. Prej shtetit qysh me datën 17 po këtij muaji, janë ardhur prokuroria speciale me kanë intervistuar në shtëpi, i kanë marrë shënimet, pas 25 viteve do të thotë ka ndodhur kjo me 17 maj të këtij muaji me kanë intervistuar”, theksoi Rama. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...