20.5 C
Pec
E martë, 16 Prill, 2024

Rrënohen dy shtëpi pa leje në Suhodoll

Me vendim të Kuvendit komunal të Mitrovicës, Drejtoria e Inspeksionit ka rrënuar sot dy shtëpi buzë liqenit artificial në Suhodoll që ndodhet në veri të këtij qyteti, për të liruar pronën e Komunës, në mënyrë që të vazhdohet më tutje implementimi i projektit të liqenit akumulues.

Nijazi Çitaku, pronar  i njërës prej këtyre shtëpive, thotë se ka një konkluzion të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), e cila suprimon rrënimin e shtëpisë së tij, por të cilin komuna e ka anashkaluar.

Sipas tij, lënda është akoma në gjyq, ndërsa familja e tij 6 anëtarëshe aktualisht nuk ka ndonjë zgjidhje për banim.

Ai shtoi se është banor i pjesës veriore dhe se prona e tij është e uzurpuar në atë pjesë të qytetit, ndërsa tokën, e cila është konstatuar se nuk është e shitësit të cilit ia ka dhënë paratë, e ka blerë para 24 vitesh.

Çitaku ka apeluar tek të gjitha organet kompetente shtetërore që të reflektojnë në rastin e tij.

 “Këtu në dorë e kam konluzionin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) e cila i suprimon të gjitha aktivitetet në rrënimin e këtyre objekteve banesore, mirëpo të cilën komuna e ka anashkaluar edhe pse lënda është ende në gjyq nuk ka pasur asnjë shqyrtim këta e kanë shkelur këtë vendim të Ministrisë së Mjedisit si shkallë e dytë në këtë proces edhe kanë ardhur në ekzekutim… Po na kanë paralajmëruar, na kanë dhënë afatin e ankesës e cila skadon të hënën, mirëpo këta kanë ardhur sot…Familja është 6 anëtarëshe dhe zgjidhje nuk kemi. Do të vendosemi në servisin e vëllait përkohësisht deri të bëjmë një zgjidhje…Kisha shfrytëzuar rastin që të bëj apel të gjitha organeve kompetente shtetërore që të reflektojnë në rastin tonë, Jemi të dyja familje të pjesës veriore me prona të uzurpuara dhe nuk mundemi me u kthy në prona t tona. Këto prona I kemi blerë para 24 viteve mirëpo është konstatuar që nuk janë pronat e shitësit”, ka thënë Çitaku.

 Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka shprehur keqardhje për një vendim të tillë, por për të cilin tha se është në përputhje me ligjin.

Sipas tij, ato shtëpi janë të ndërtuara në pronën komunale, dhe pengojnë implementimin e projektit madhor dhe milionësh të liqenit artificial.

“Ai projekt është disa milionësh dhe nuk mundemi të humbim projektin për disa individë të cilët në pamundësi për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me ta dhe pronat e komunës me ndërtu dikush ndërtesë apo shtëpi është e pamundur. Ne kemi shkuar edhe në mënyrë procedurale gjyqësore, i kemi fituar të gjitha gjyqet për arsye se s’ka gjyq që mund t’i jap të drejtë dikujt që të ndërtojë shtëpi në pronën e komunës. Kështu që projekti madhor nuk është vetëm për individë por për të gjithë qytetarët dhe ne kemi rrënuar të gjitha shtëpitë e parapara me projekt , kemi edhe disa shtëpi për t’ i rrënuar, dhe atë vend do ta bëjmë jashtëzakonisht atraktiv për të gjithë qytetarët e Kosovës….Unë kërkoj falje të gjithë atyre të cilët janë prekur nga ky vendim mirëpo është e pamundur të mos rrënohen ato shtëpi sepse është në një pjesë ku ne kemi shpallur projekt madhor për qytetin e Mitrovicës.….Ata njerëz kanë qenë të paralajmëruar disa herë…Ne jemi munduar që në mënyrë miqësore që ata vetë t’i largojnë gjërat që I kanë pasur brenda, por edhe disa pjesë tjera që dëshirojnë me i marr por nuk kemi mundur të gjejmë zgjidhje dhe ne kemi paralajmëruar me kohë”, theksoi Bahtiri.

Ndryshe, projekti për rregullimin e liqenit artificial i cili do të kushtojë rreth 8.5 milionë euro, ka filluar në vitin 2014 dhe duhet të përfundojë më 2020, ndërsa deri tani janë rrënuar 14 shtëpi të cilat e kanë penguar realizimin e këtij projekti, dhe pritet të rrënohen edhe 15 tjera. /Njeshi/

]]>
- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...