10 C
Pec
E mërkurë, 28 Shkurt, 2024

Vitia: Vetëm vitin e kaluar, në institucionet e shëndetësisë janë shënuar rreth 1070 aborte

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se është çnjerëzore detyrimi i heqjes së fëmijës femër.

Kështu u shpreh ai në konferencën “Preferencat Gjinore dhe Aborti Selektiv – Diskriminimi gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave”

Tutje, shtoi se vetëm vitin e kaluar në institucionet e shëndetësisë janë shënuar rreth 1070 aborte.

“Sot çdo grua në vendin tonë mund të përdor lehtësisht të gjitha shërbimet për të dalluar gjininë e fëmijës gjatë shtatzënisë. Por, ky mjet i shkencës për të ndihmuar jetën dhe shëndetin e njeriut, nuk mund të përdoret kundër vet njeriut, gruas në këtë rast. Është çnjerëzore detyrimi me çfarëdo forme në heqjen e fëmijës së gjinisë femërore. Jo pse ka zgjedhur një grua të abortojë por sepse partneri apo rrethi familjar është duke ju përshkruar vajzën e ardhshme të dytë, apo të tretë si një vështirësi apo si një disavantazh. Pavarësisht nga zgjedhja e dikujt, aborti me përzgjedhje gjinore është një rast i qartë i diskriminimit me elemente edhe të dhunës fizike por edhe të asaj psikologjike”, deklaroi Vitia.

“Sa i përket abortit në vendin tonë, për shkak të arsyeve të ndryshme, fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të sakta meqenëse aborti ende mbetet një sfidë dhe shumë herë me të dhëna të nën raportuara. Kurse për të dhëna të abortit selektiv nuk mund të flasim fare, meqenëse Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë lejon ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 10, kurse përzgjedhja e gjinisë me këtë ligj është e ndaluar. Sipas të dhënave të vitit 2022, janë raportuar diku rreth 1070 aborte në institucione shëndetësore, shifër kjo që mund të jetë shumë herë më e lartë”, shtoi ministri i Shëndetësisë.

Ndërsa Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-s, Visare Mujko – Nimani tha se ndër vite ka pasur më shumë lindje të djemve se vajzave.

“Të dhënat statistikore në Kosovë dekada me radhë kanë indikuar në diskrepancë të raportit të lindjeve të foshnjave vajza dhe djem në krahasim me atë global. Fondi për popullsi i Kombeve të Bashkuara që në thelb të saj i ka të drejtat e njeriut, promovimin e barazisë gjinore dhe luftimin e diskriminimit gjinor, është e angazhuar fuqimisht dhe në mënyrë aktive në iniciativa të ndryshme për të promovuar të drejtat dhe mirëqenien e vajzave dhe grave në mbarë botën. Megjithatë, çështja e diskriminimit gjinor dhe preferencës gjinore ndaj djemve na kujton se puna jonë nuk është e plotë. Ne nuk duhet të trajtojmë pasojat, por duhet të trajtojmë shkaqet rrënjësore të diskriminimit me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave”, përfundoi ajo.

Fushata globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore” ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave. Kjo fushatë do të përfundojë më 10 dhjetor./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...