Raporti i progresit për vitin 2024 ka identifikuar një numër sfidash për Kosovën në aspektin ekonomik, të cilat po vazhdojnë të nxisin migrim e lartë kryesisht të moshave të reja. Sipas këtij raporti numri i të rinjve të cilët nuk janë aktiv as ne punësim e as në shkollim është rritur. Njohës të fushës së ekonomisë vlerësojnë se të rinjtë e kanë humbur shpresën dhe se kryesisht janë të interesuar që të ikin nga Kosova. Ndërkohë sociologët thonë se përveç migrimit një numër i madh i tyre ka prirje radikalizmin dhe dukuritë negative
Rritja e ngadalësuar ekonomike, eksporti i ulët dhe norma e lartë e papunësisë mbesin sfidë kryesore për Kosovën, sipas raportit të progresit për vitin 2024.
Një nga shqetësimet e theksuara në këtë raport është edhe rritja e numrit të rinjve të pa përfshirë në shkollim dhe në tregun e punës, si dhe papabarazia gjinore në këtë rrafsh.
“Pavarësisht disa përparimeve, tregu i punës vazhdon të vuaj nga pjesëmarrja shumë e ulët, papunësia e lartë dhe hendeku i madh gjinor. Rezultatet e anketave të fuqisë punëtore vazhdojnë të publikohen me vonesa të mëdha. Hendeku gjinor në punësim është zgjeruar, normat e të punësuarve janë : 53.4% për burrat ndërsa 19.8% për gratë. Ndërsa në vitin 2023, përqindja e të rinjve (të moshës 15-24) që nuk janë në punësim, arsimim ose trajnim u rrit pak në 33.4%, nga 33% në vitin 2022 që është gjithsesi më e larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Shifra të ngjashme javë më parë pati edhe Banka Botërore. Sipas raportit të saj Kosova pritet ta përmbyllë vitin me një rritje ekonomike prej rreth 3.9%.
Njohës të ekonomisë thonë se për të adresuar sfidat e papunësisë dhe importit të lartë rritja ekonomike duhet të jetë dyshifrore.
“Për të pasur zhvillim ekonomik që do të garantonte punësim të qëndrueshëm do duhej që të kishim një burim nga vet krijimi i vlerës sepse burimi kryesor i rritjes tek ne është konsumi apo remitencat prandaj nuk reflektohet drejtë për rritje të mirëqenies”, ka thënë për rtv21 Lekë Musa, njohës i ekonomisë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 600 mijë qytetarë nuk janë as në nuk shkollohen, ndërsa mbi 100 mijë prej tyre janë të moshës së re.
Kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se këto shifra janë pasojë e mungesës së perspektives në Kosovë.
“Të rinjtë e kanë humbur shpresën në Kosovë dhe synim kanë migrimin”, ka thënë Shahini.
Ish-drejtori i qendrës sociale për punësim, Vehbi Mujku, ngreh alarmin se një numër i madh i të rinjve që nuk shkollohen dhe nuk janë në marrëdhënie pune, kanë tendencë për përfshirje në dukuri negative.
“Këta të rinj realisht ndihen të diskriminuar e dijnë që nuk mund të punësohen në institucione publike pra janë të diskriminuar në anën tjetër në sektorin privat nuk iu konvenon dhe për këtë arsye këta qëndrojnë pasiv të njëjtit më së shumti kanë prirje për radikalizëm por edhe për tu marr me dukuri negative për të cilat dëgjojmë çdo ditë”, ka thënë Mujku.
Për papunësinë e lartë dhe njëkohësisht mungesën e madhe të fuqisë punëtore, njohësit e ekonomisë fajësojnë politikat ekonomike të vendit dhe sistemin e dobët arsimor, i cili sipas tyre nuk përputhet me nevojat e tregut të punës. /Njeshi/