150 euro ka qenë shuma e tatimit në pronë që pronari ka paguar për shtëpinë e tij. Por, tash, për të njëjtin objekt, ai do të detyrohet të paguajë 300 euro.
E gjitha u bë pasi që Ministria e Financave, Punës dhe Transfere vendosi ta rrisë vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale.
Kjo shtyri Asocacionin e Komunave të Kosovës që të kërkojë procedimin e Ligjit të ri për Tatimin në Pronë.
Ka qenë i zëshëm Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, që e ka konsideruar sulm ndaj qytetarëve rritjen e tatimit në pronë.
Ai ka thënë se efektet zinxhir që i prodhon kriza socio-ekonomike nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave.
“Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pabazuar, jologjike dhe rënduese për qytetarët. Ka kohë që nxjerrja e parave nga xhepi i qytetarëve, po përkthehet si rritje e të hyrave buxhetore, si rritje ekonomike”, ka thënë Tahiri.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ashpër pas raportimeve për rritjen e normës së tatimit në pronë.
“Qeveria e paaftë ka filluar vitin e ri edhe me një rritje të ngarkesës tatimore për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe një godite tjetër ndaj papërballueshmërisë në kohën kur kosto e rritjes së çmimeve dhe kosto e jetesës ka arritur nivele rekorde në vend. LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të rishikoj të gjitha mundësitë ligjore për të pezulluar rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, duke mos lejuar rritjen e ngarkesës tatimore në pronë për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu Ministria e Financave sa më shpejtë ta dërgojë ligjin e ri për tatimin në pronë në Kuvend në mënyrë që t’iu mundësohet Komunave ulja e pragut të normës tatimore”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së.”-thuhet në reagim.
Ndërkohë, një ditë më parë, ministri i Financave Hekuran Murati, kur u pyet nga mediat mohoi se dikasteri i tij ka përgjegjësinë për rritjen e vlerës së tatimit në pronë, duke ua hedhur fajin komunave.
Në bazë të Ligjit aktual, norma e tatimit në pronë është 0.15%.
Kurse, në me ligjin e ri po kërkohet që vlera të përcaktohet nga vetë komunat./Njeshi&T7/