Kur flasim për skenën më të madhe muzikore në Evropë – Eurovisionin, flasim për ëndrra, emocione dhe një pasqyrë të identitetit kulturor të çdo vendi. Për Shqipërinë, kjo skenë nisi më 2004-ën – një kapitull i ri që do të sillte më shumë se thjesht muzikë.
Ishte Anjeza Shahini ajo që i dha vendit debutimin e parë, me këngën “The Image of You”. Një sukses i menjëhershëm që rrëmbeu vendin e 7-të në finale. Kjo ishte një hyrje e fuqishme që tregoi se Shqipëria kishte për të thënë e për të dhënë diçka ndryshe.
Që nga ajo kohë, Shqipëria ka marrë pjesë 21 herë, duke sjellë zëra të fuqishëm, emocione të vërteta dhe një gamë të gjerë stilesh muzikore – nga baladat dramatike, te tingujt etno dhe deri te rock alternativ.
Ishte viti 2012-të dhe për herë të parë Shqipërinë do e përfaqësonte dikush nga Kosova. Rona Nishliu me “Sus” s’la kënd pa e bërë krenarë. U radhit e 5-ta këngë më e mirë në Eurovision dhe sot e asaj dite mbetet rezultati më I mirë që Shqipëria korri. Një tekst që preki zemrat, një zë që I dridhi ato, pamarrë parasysh etninë e kombin.
Këtë vit, Shqipëria po përfaqësohet nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”. Ky duet, i përbërë nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, solli një stil unik që kombinon elemente të muzikës tradicionale shqiptare me tinguj modernë. Kënga u vlerësua për origjinalitetin dhe energjinë e saj, duke u bërë një nga këngët më të pëlqyera të vitit. Shqipëria ka shanse të mira për të arritur një pozicion të lartë në finale. Mbështetja e fortë nga publiku dhe performanca e fuqishme e Shkodra Elektronike në provat e mëparshme sugjerojnë se ata mund të jenë një konkurrent serioz për çmimin e parë.
Ky është rrugëtimi i Shqipërisë në Eurovision, që është një pasqyrim i një vendi të vogël, por me zë të madh. Një vend që përmes artit, vazhdon të tregojë historinë e vet, kulturën dhe shpirtin shqiptar. Në këtë skenë të madhe – ndonjëherë të padrejtë, ndonjëherë të paparashikueshme – Shqipëria vazhdon të qëndrojë krenare, duke kënduar në gjuhën e saj, për zemrat e miliona shikuesve anembanë Evropës./Njeshi&KlanKosova.tv/