Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka raportuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se ka shpenzuar gjithsej 358,515 euro për fushatën politike të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, ndonëse ka hyrë në fushatë me vetëm 94,160 euro, të ardhura nga donacione dhe kontribute në të holla.
Sipas raportit financiar të publikuar nga KQZ, rezulton se LDK ka shpenzuar 264,355 euro më shumë sesa ka pasur në dispozicion në fillim të periudhës zgjedhore (16.08.2024 – 09.02.2025).
Në këtë raport, LDK nuk ka deklaruar shpenzime për paga, kompensime apo pagesa për vëzhgues, por ka evidentuar shpenzimet kryesore si më poshtë:
330,122 euro për reklama, reprezentacione dhe konferenca
1,645 euro për shërbime transporti
4,248 euro si shpenzime të përgjithshme
22,500 euro si shpenzime të ndryshme
22,000 euro të raportuara si gjobat dhe ndëshkimet nga institucionet zgjedhore./Njeshi/