16.8 C
Pec
E premte, 13 Shtator, 2024

Sadik Duraku po mbahet në burgun e Serbisë që nga prilli, BBC i dedikon një shkrim

Kosovari me shtetësi britanike, Sadik Duraku, ishte arrestuar më 17 prill të këtij viti kufirin serbo-hungarez, nga autoritetet serbe.

Që nga ajo kohë, Duraku po mbahet në një burg në Beograd, me akuzat për kryerjen e krimeve të luftës si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë rast, ka shkruar edhe mediumi britanik “BBC”, ku tha se “familja e një britaniku që po mbahet në një burg serb, po bën thirrje për më shumë ndihmë nga qeveria e Britanisë së Madhe, duke pretenduar se akuzat kundër tij janë të pabaza dhe të motivuara politikisht”.

Siç shkruan BBC, Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se “ne po e mbështesim një britanik të arrestuar në Serbi dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”.

“Në prill, Duraku u arrestua teksa po kalonte kufirin serbo-hungarez – një udhëtim që ai e kishte bërë shumë herë më parë. Këtë herë, ai u ndalua nga policia kufitare serbe dhe u akuzua për krime lufte që dyshohet se janë kryer si pjesëtar i UÇK-së”.

“Po atë ditë, mbi 1 mijë të tjerë u arrestuan nga autoritetet serbe, por vetëm një numër i vogël u akuzuan përfundimisht. Akuzat fillestare kundër Durakut e akuzuan atë për pjesëmarrje në krimet e luftës kundër popullatës civile në vitin 1999”.

“Familja e tij është e bindur se këto akuza janë të pabazuara dhe thonë se ai nuk ka qenë fare i përfshirë në luftë, nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë dhunë”, thuhet në shkrimin e BBC-së, transmeton Klankosova.tv.

“Avokati i Durakut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Michael Polak, tha se e gjithë çështja mbështetet kryesisht në një letër”.

“Me sa duket nga një individ serb ‘që supozohet të jetojë në Gjermani’, ajo letër i atribuohet dikujt që ‘nuk duket të jetë një person real’, tha Polak”.

“Ai tha se letra nuk duket se është nga një adresë e vërtetë dhe përmban thirrje për ta ‘torturuar’ Durakun derisa ‘të dalë e vërteta prej tij’.

“Polak pretendon se ‘është shumë e pazakontë të bazohet një rast për një krim aq të rëndë sa krimet e luftës në këtë lloj dokumenti’”, shkruan tutje BBC, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, BBC thotë se avokati pretendon që letra ose është e sajuar për këto procedura ose është bërë me inati nga dikush kundër Durakut, njofton Klankosova.tv.

Mediumi britanik foli edhe për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilat tha se mbeten të larta, pavarësisht përfundimit të luftës 25 vjet më parë.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është zotuar vazhdimisht se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si një shtet të pavarur. Qeveria e Kosovës dëshiron të ushtrojë autoritet mbi të gjithë Kosovën, por serbët etnikë që jetojnë në rajonin verior, në kufi me Serbinë, po i rezistojnë kësaj lëvizjeje, duke kërkuar autonomi më të madhe”.

“Zyra e Prokurorisë Publike Serbe për Krime Lufte nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për komente. Në Strategjinë e saj Kombëtare për Ndjekjen e Krimeve të Luftës, qeveria serbe thekson se Serbia ‘demostron në mënyrë efektive hetime adekuate të akuzave dhe trajtim të barabartë të të dyshuarve’ dhe se ‘gjyqet efikase të krimeve të luftës’ janë një ‘pjesë e pandashme e sundimit të ligjit dhe një tipar i shoqëritë demokratike’”, shkroi BBC.

Sipas BBC-së, duke u bazuar në ligjin serb, një i pandehur në situatën e Durakut mund të mbahet për gjashtë muaj në burg, derisa prokuroria ta ndërtojë çështjen dhe të vendosë nëse do të vazhdojë me gjyq apo jo.

“Frika dhe shqetësimet e familjes përkeqësohen më tej nga shëndeti i brishtë i Durakut. Së fundmi ai ka pësuar një sulm në zemër dhe është me medikamente, të cilat ia kanë dorëzuar familjarët gjatë vizitave të burgut në Beograd. Zonja Duraku thotë se stresi i paraburgimit po e rëndon atë”.

“Po na copëton pasi jemi të gjithë kaq të shkatërruar. Nuk ka asnjë moment të ditës ku nuk jeni të stresuar për këtë”, tha vajza e Durakut, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

BBC-ja thotë se familja mendon se qeveria e Britanisë së Madhe nuk ka bërë sa duhet në rastin e kryefamiljarit të tyre.

“Ai është britanik dhe kështu ne menduam se qeveria jonë do t’i mbronte të drejtat e tij dhe do të kujdesej për të, por nuk e ka bërë, dhe ne jemi të zhgënjyer pafundësisht, në çdo hap”, tha Zana Duraku. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...