Forcimi i partneritetit mes Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe përmes integrimit gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së, do të jetë në fokus të samitit të radhës BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të zhvillohet në Bruksel më 18 dhjetor.
Në prag të këtij takimi, para dhjetë ditësh, presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonia Costa, ka pasur një takim të përbashkët joformal me liderët e vendeve të rajonit, ku ndër tjerash janë diskutuar edhe përgatitjet dhe pritjet nga ky samit i përbashkët.
Zhvillimi tashmë i rregullt i samiteve të përbashkëta BE-Ballkani Perëndimor është një prej dëshmive se BE-ja e ka prioritet këtë rajon, raportet me vendet e tij, por edhe procesin e integrimit të plotë të tyre në BE. Ky përkushtim pritet të ritheksohet edhe kësaj radhe në takim. Kjo përfshihet edhe në draftin e Deklaratës së përgatitur për miratim në samit, tekst në të cilin ka pasur qasje edhe Radio Evropa e Lirë.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ka tash një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në deklaratën që pritet që bashkërisht ta miratojnë në takim liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe kolegët e tyre nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë, dhe me ndryshimin e rrethanave globale, pritet të ritheksohet se partneriteti mes BE-së dhe vendeve të rajonit është më i rëndësishëm se kurrë.
Pikërisht për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit nga ky samit do të dërgohet thirrja që vendet e rajonit sa më shpejt t’i zgjidhin mospajtimet me fqinjët, si me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu edhe mes vete në rajon. /Njeshi/