Udhëheqësit evropianë kanë kërkuar të projektojnë unitetin, duke i bërë thirrje Donald Trumpit të vijojë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe të shmangë një luftë të dëmshme tregtare kur ai të kthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë që mund të jetë një sfidë e madhe për kontinentin.
Në takimin në Budapest, të organizuar nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, një mbështetës i Trump, 27 krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së iu bashkuan të enjten 20 liderë të tjerë nga komuniteti më i gjerë politik evropian, përfshirë presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Evropa duhet të pretendojë pavarësinë e saj nga SHBA dhe të mbrojë interesat e saj mbi ato të rivalëve gjeopolitikë në një “moment vendimtar”, duke shtuar: “ne nuk duhet t’ia delegojmë përgjithmonë sigurinë tonë Amerikës”.
Evropa duhet të marrë kontrollin e historisë së saj, tha Macron. “A duam të lexojmë historinë e shkruar nga të tjerët – luftërat e nisura nga Vladimir Putin, zgjedhjet në SHBA, zgjedhjet teknologjike apo tregtare të Kinës – apo duam të shkruajmë tonën?”, shtoi Presidenti francez.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pranoi “dallimet”, por tha se Evropa synon të jetë një “partner i respektuar” për SHBA-në, duke shtuar se Uashingtoni “e di se është në interesin e tij të tregojë vendosmëri kur angazhohemi me regjimet autoritare”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku duhet të ruajë unitetin. “Ne kemi treguar se Evropa mund të marrë përgjegjësi duke qëndruar së bashku – ne e treguam atë gjatë pandemisë dhe krizës së energjisë”, tha ajo, duke shtuar se mezi priste të punonte përsëri me Trump “në një mënyrë të mirë, për të forcuar lidhjen transatlantike”.
Në lidhje me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, von der Leyen tha se “është në të gjitha interesat tona që autokratët e kësaj bote të marrin një mesazh shumë të qartë që nuk është e drejta e fuqisë – se sundimi i ligjit është i rëndësishëm”.
Zelenskyy tha në takimin e së enjtes se një qasje e “paqes përmes forcës” ishte urgjentisht e nevojshme, duke thënë se lëshimet ndaj Moskës ishin të papranueshme për Ukrainën dhe do të ishin vetëvrasëse për Evropën.
Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se ai synonte të punonte ngushtë me Trump, duke vënë në dukje se ishte presioni gjatë mandatit të parë të ish-presidentit që i kishte shtyrë anëtarët e aleancës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
Rusia “po dorëzonte teknologjinë më të fundit [armë] në Korenë e Veriut në këmbim të ndihmës së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës”, një kërcënim “jo vetëm për pjesën evropiane të NATO-s, por edhe për SHBA”, tha ai, duke shtuar se ai mezi priste të diskutonte me Trump “si i përballojmë këto kërcënime kolektivisht”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i paralajmëroi kolegët e tij evropianë që të mos reagojnë “me histeri” ndaj fitores së Trumpit, por të shikojnë realitetin dhe të presin politikat konkrete të Trumpit.
“Kjo mund të jetë edhe një mundësi për Europën që të ndryshojë gjërat dhe t’i shohë gjërat ndryshe”, tha Edi Rama.
“Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për të”, u shpreh Rama.
E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para Samitit të Komunitetit Politik të Evropës i cili po mbahet në Budapest, ka thënë se bashkëpunimi i Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë fuqishëm edhe nën administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Në fjalën e saj para samitit, ku paraprakisht u prit nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, Osmani tha se zgjedhja e Trumpit si president i SHBA-së, beson se do ta forcojë më tej bashkëpunimin edhe me Kosovën.
“Zgjedhja e presidentit Trump do të vazhdojë ta fuqizojë këtë marrëdhënie dhe secili duhet ta japim kontributin tonë lidhur me këtë. Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë, kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën e presidentit Trump”, theksoi Osmani.
Takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian do të mbledhë liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti, në Budapest. Në këtë Samit, Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike./Njeshi/