Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është takuar me emisarin e posaçëm të Gjermanisë Manuel Sarrazin në Rezidencën e ambasadorit Rohde.
Ata diskutuan për forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, bashkëpunimin rakonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe çështje tjera aktuale.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati sot një mëngjes pune me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Pjesë e diskutimit ishin forcimi dhe avancimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe çështjet aktuale.”
Kurti e uroi Sarrazinin për samitin në 10 vjetorin e Samitit të Berlinit.
“Kryeministri uroi Përfaqësuesin Special Manuel Sarrazin për një samit të suksesshëm në 10-vjetorin e Samitit të Berlinit këtë muaj, ku u nënshkrua një marrëveshje e re për qasje në studime, deklarata për Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 si dhe deklaratat e përbashkëta për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, për qasjen dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit dhe atë për standardet rajonale të ekzaminimit investimeve të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor.”
Kryeministri Kurti tha që është e rëndësishme që të punohet që Bosnja e Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftimë.
Po ashtu, ai diskutoi me Sarrazinin për “rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X”.
“Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim. Kryeministri e falënderoi Përfaqësuesin Special për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit rajonal.”/Njeshi/