4.7 C
Pec
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

SBASHK kërkon tërheqjen e doracakut për edukimin seksual: Material degjenerues, duhet hedhur në bërllok

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj doracakut të titulluar “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” për klasat 1-5, të përgatitur për mësimdhënësit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

SBASHK e cilëson këtë doracak si “degjenerues” dhe kërkon tërheqjen e tij nga institucionet arsimore në Kosovë.

Në deklaratën e saj, SBASHK thekson se doracaku nuk është i përshtatshëm për institucionet shkollore dhe është kundër misionit të tyre arsimor.

“Ky doracak duhet tërhequr e hedhur në bërllok sepse nuk i duhet shkollës dhe arsimit në Kosovë,” thuhet në deklaratë.

Sindikata shpreh bindjen se mësimdhënësit, të cilët sipas saj kanë një mision të shenjtë në edukimin dhe arsimimin e brezave, nuk kanë përdorur asnjë përmbajtje nga ky material.

“Jam i sigurt se as edhe njëri nga ata nuk e ka përdorë as edhe faqe, madje as edhe një shkronjë nga doracaku i degjenerimit,” thuhet mes tjerash në deklaratë.

SBASHK gjithashtu kritikon ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për përjashtimin e përfaqësuesit të SBASHK-ut nga Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, duke thënë se kjo ka ndikuar në përjashtimin e sindikatës nga debatet dhe konsultimet për çështjet arsimore.

“SBASHK-u nuk ftohet në konsultime e bashkëbiseda dhe për këtë edhe shqetësimet e problemet janë grumbulluar dhe sa vijnë e shtohen,” thuhet në deklaratë.

Në fund, SBASHK kërkon që ministrja Nagavci të kërkojë falje për përgatitjen dhe dedikimin e këtij doracaku, ndërsa shton se ky material duhet “të shpallet i hedhur në bërllok.” /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...