-0.1 C
Pec
E premte, 27 Janar, 2023

SBASHK-u ende po i shqyrton se cilat hapa do ti ndjekë pas shkëputjes së kontratës kolektive nga MASHTI

Më 21 nëntor Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) shkëputi Kontratën Kolektive të nënshkruar në vitin 2021 me Sindikatën e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK).

Këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, SBASHK-u e kishte quajtur jo ligjor dhe nga kjo sindikatë kishin thënë se një vendim i tillë nuk i ndihmon dialogut social mes dy palëve.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka bërë të ditur për KALLXO.com se ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci do t’ia dërgojnë një shkresë për ta njoftuar se ky veprim nuk është i pranueshëm për SBASHK-un.

“Jemi në konsultim me ekspertë të fushës, pra ata që e njohin fushën e drejtësisë, me avokatë dhe me zyrtarin tonë ligjor dhe ne do t’i dërgojmë një shkresë zonjës Nagavci për ta informuar se veprimi i saj është i njëanshëm dhe nuk është i pranueshëm për ne”- tha ai për KALLXO.com duke shtuar se kjo pritet të ndodhë së shpejti.

“Besoj që së shpejti, mirëpo jemi në konsultime me njerëz që e njohin këtë fushë dhe besoj së shpejti do t’ia dërgojmë këtë shkresë”- ka vijuar kreu i SBASHK-ut.

Sipas Jasharajt, përmes kësaj kërkese ata do t’ia bëjnë të ditur ministres Nagavci se MASHTI nuk ka të drejtë të marrë një veprim të tillë të njëanshëm për shkëputje të kontratës.

“Kontrata e precizon qartë se asnjëra palë nënshkruese njëanshëm nuk mund ta zhvleftësojnë kontratën por kanë të drejtë të iniciojnë eventualisht të shtohet diçka në kontratë” – është shprehur Jasharaj.

Sipas njoftimit të MASHTI-t kjo kontratë është shkëputur njëanshëm nga Ministria e Arsimit, bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, “për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.

Sipas MASHTI-t, kjo ministri e ka marrë këtë vendim për t’i hapur rrugë negocimit të kontratës kolektive të ligjshme, që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë. Mungesa zbatimit të ligjit e me këtë, mbajtja në fuqi të kontratave që kundërshtojnë dispozitat ligjore, nuk prodhon rezultat të dobishëm për asnjërën palë. Përkundrazi, zbatimi i kontratës së paligjshme cenon përmbushjen e te drejtave legjitime të punëtorëve. Rrjedhimisht, MASHTI ka ndërmarrë këtë veprim, për t’i hapur rrugë negociimit të kontratës kolektive të ligjshme, që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit, e që mbërthehet në vetë përkrahjen ndaj punëtorëve të bazuar në nevojat dhe kushtet e punës”- thuhet në njoftim.

KËTU mund ta gjeni njoftimin e plotë MASHTI-t.

Për herë të parë Kontrata kolektive hyri në fuqi më 18 prill 2017, dhe u vazhdua më 21 janar 2021.

Këto kontrata kolektive, që konsiderohen ndër arritjet kryesore të sindikatave, janë nënshkruar kryesisht në prag të zgjedhjeve.

Kontrata kolektive ka paraparë përfaqësim të interesit të punëtorëve përmes SBASHK-ut në nivel të politikbërjes në nivel qendror dhe lokal.

Përveç kësaj, Sindikata mund të ketë përfaqësim dhe pjesëmarrje në cilësinë e monitoruesit pa të drejtë vote në komisione vlerësuese, në përzgjedhje të punonjësve të arsimit në të gjitha nivelet, nga ai parafillor në atë universitar.

Po ashtu, Kontrata kolektive, punëtorëve të arsimit iu njohu kompensimin mbi bazën e licencimit, për shujtë, udhëtim dhe pagë jubilare. Realizimi i këtyre të drejtave nuk është bërë në mënyrë të njëjtë nga të gjithë mësimdhënësit, sepse punëdhënësi ka refuzuar që t’i zbatojë.

Qeveria e ka nënshkruar Kontratën kolektive, por nuk ka ndarë buxhet për mbulimin e kostove që dalin nga kjo kontratë, prandaj punëtorët janë detyruar që t’i drejtohen gjykatës./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...