Është jashtëzakonisht i bindur që Propozimi Evropian për Kosovën dhe Serbinë do të shndërrohet në një marrëveshje të zbatueshme për të dyja shtetet, prandaj kancelari gjerman, Olaf Scholz, thotë se përfundimi i procesit do prezantojë sukses.
Krah kryeministrit shqiptar, Edi Rama, të cilin po e mirëpret në një vizitë zyrtare në Gjermani, lideri i qeverisë gjermane dhe një nga iniciatorët më të mëdhenj të dinamizimit të dialogut Prishtinë – Beograd, thotë se propozimi franko-gjerman është “shumë i peshuar”.
Përtej se i peshuar, “ka gjetur pasqyrimin e tij në Bruksel dhe ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”, deklaroi Scholz para gazetarëve në konferencë me Ramën.
11 pikat e tashmë-marrëveshjes gojore që emrin zyrtar e ka Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “janë të zbatueshme”, prandaj edhe “duhet të realizohet plani”, deklaroi Scholz.
“Tanimë mund të bëhet realitet ajo që dukej e pamundur”, kujton momentin fillestar të negocimit politikani gjerman.
Scholz e ka bindje se pajtimi i dy shteteve në Ballkanin Perëndimor, s’i prekë vetë ato, por “do të ishte mirë për zhvillimin e (gjithë) rajonit”.
Optimizëm i kanë dhënë – siç e deklaroi vetë në konferencë – edhe ato që ka dëgjuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Mendoj qe janë bërë përparime të mëdha duke parë deklaratën e Vuçiç-it dhe Kurtit”, tha.
Në të njëjtën gjatësi valore sa i takon Propozimit Evropian ishte edhe mysafiri i tij, Rama.
Rama qysh nga dalja në sipërfaqe e iniciativës franko-gjerman ishte pozitiv në deklarime, ndërsa ujdinë e ka quajtur si “plan paqeje dhe pajtimi”.
“Ne mbështesim planin e paqes dhe normalizimit me Kosovës dhe Serbisë”, përsëriti Rama qëndrimin e tij të kamotshëm./Njeshi/