Kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë mbajtën seancë të përbashkët në Prishtinë, u zotuan për angazhime të reja për bashkëpunim dhe integrim evropian.
Të premten, Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë zhvilluan një seancë historike të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku përmes një deklarate përfundimtare u zotuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe ndihmë reciproke në arenën ndërkombëtare.
Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Konjufca: Bashkim përballë sfidave politike dhe gjeopolitike
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e hapi seancën duke theksuar rëndësinë e unitetit përballë sfidave rajonale dhe ndërkombëtare.
Ai kritikoi ashpër sulmet ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si “akte terroriste të mbështetura nga Serbia,” dhe nënvizoi nevojën për njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë si bazë për paqe dhe stabilitet.
“Njohja reciproke është e domosdoshme për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme në rajon,” deklaroi Konjufca, duke shtuar se Kosova është një “kampione e demokracisë në Ballkan.”
Spiropali: Integrimi në BE, prioritet kombëtar
Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, theksoi mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kritikoi pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Nxisim këto vende që ta pranojnë Kosovën sa më parë. Integrimi i Shqipërisë dhe Kosovës në BE është thelbi i të ardhmes sonë,” u shpreh Spiropali, duke theksuar se shqiptarët janë të vendosur për të ndërtuar një shoqëri europiane dhe euroatlantike.
Rama: Koha për qasje të re në dialogun Kosovë-Serbi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sugjeroi që Kosova të “ngrijë dialogun bilateral me Serbinë” dhe të fokusohet te dialogu me BE-në për normalizimin e marrëdhënieve. Sipas tij, ky hap do të ndihmonte për përshpejtimin e procesit të integrimit në NATO dhe BE
“Fati kombëtar është në duart tona. Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë ngushtë për t’i dhënë rajonit një model të suksesit,” deklaroi Rama.
Kurti: Bashkëpunimi forcon identitetin kombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi seancën si një simbol të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe përkushtimit ndaj interesave të shqiptarëve në rajon.
Ai dënoi sulmet nga Serbia si akte destabilizuese dhe shprehu besimin se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleat i fuqishëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Deklarata e përbashkët: Rrugëtim drejt së ardhmes evropiane
Në përfundim të seancës, u miratua një deklaratë e përbashkët që theksonte rëndësinë e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE dhe NATO, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për paqe dhe stabilitet në rajon.
Kjo seancë u cilësua si dëshmi e unitetit dhe përkushtimit të dy vendeve për të përmbushur objektivat strategjike kombëtare dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në familjen europiane/Njeshi/