Senatorët amerikanë në Kapitol së shpejti do të shqyrtojnë kandidatët e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për pozitat kyçe të administratës së ardhshme. Procesi i konfirmimit kësaj radhe mund të duket më ndryshe pasi kualifikimet dhe e kaluara e disa kandidatëve mund të vënë në pozitë të vështirë një pjesë të senatorëve amerikanë që të votojnë në favor të tyre.
Periudha e tranzicionit, deri në inaugurimin e administratës së re, përfshin takime të të emëruarve të Presidentit të zgjedhur Donald Trump për pozicionet kyçe të kabinetit me senatorët amerikanë të cilët duhet t’i konfirmojnë ata.
“Përvoja tetë vjeçare si prokurore e përgjithshme e Floridës, jam i sigurt se ju ka përgatitur mirë për këtë punë”, i tha senatori republikan Chuck Grassley kandidates së Trump për Prokurore të Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi.
Kandidati i Trump për të drejtuar Departamentin e Shtetit, senatori republikan Marco Rubio, pritet të konfirmohet me lehtësi.
“Presidenti e përcakton politikën e jashtme, puna jonë në Departament të Shtetit është ta zbatojmë atë”, thotë Rubio.
Por Pete Hegseth, kandidati për të drejtuar Pentagonin, nuk ka mbajtur kurrë poste udhëheqëse në ushtri. Ai së fundmi ka qënë moderator në rrjetim ‘Fox News’.
“Përparësia kryesore për ne janë ushtarët. Kjo është ajo që më kërkoi Donald Trumpi. Detyra e shefit të Pentagonit është të rikthejë etikën luftarake në Pentagon”, thotë Hegseth.
Ai është një nga disa të emëruarit, të cilët më parë kanë bërë komente të debatueshme, që ua vështirëson disa senatorëve republikanë dhënien e votës për konfirmimin e tyre/Njeshi/