Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka njoftuar se Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku s’është lejuar nga autoritet serbe të hyjë në Preshevë.
Sinani ka thënë se kjo është hera e dytë që pushteti i Vuçiqit po ndalon Ministrin Çeku të vizitojë Preshevën.
Ajo ka thënë se ky regjim autoritar po vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi.
“Serbia sërish ndalon Ministrin e Kosovës–diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon”.
Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve.
Fatkeqësisht, ky regjim vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi”, ka shkruar Sinani në Facebook.
“Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë. Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë”, shkruan kryetarja e Preshevës në Facebook./Njeshi/