Profesori në Universitetin amerikan, Johns Hopkins, Daniel Serwer thotë se në rajonin e Ballkanit mund të rikthehen idetë për ndarjen e territoreve, nëse Richard Grenell siguron një pozitë të lartë në administratën e re amerikane. Megjithatë, thekson se lufta në Ukrainë dhe Kina janë ndër prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të gjithë janë në pritje për të parë se çfarë qasje do të ketë në Ballkanin Perëndimor, administrata e re amerikane nën udhëheqjen e liderit republikan, Donald Trump.
Mirëpo, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk pritet të jetë në fokus të Uashingtonit.
“Në këtë pikë është e vështirë të parashikohet se çfarë qasje do ta ketë administrata e re amerikanë në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo ajo çfarë mund të them është se momentalisht rajoni i Ballkanit nuk është top prioritet për Uashingtonin. Për SHBA-në prioritet është lufta në Ukrainë, Kina, tarifat si dhe çështje të tjera. Pra, në nivelet e larta në SHBA askush nuk po mendon për Ballkanin”, thotë ai.
Megjithatë Serwer thotë se situata mund të ndryshojë nëse ish i dërguar special i Trumpit për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, siguron një pozitë të rëndësishme në administratën e re amerikane.
Tutje ai shton se me kthimin eventual të Grenell mund të rikthehen edhe idetë për ndarjen e territoreve në Ballkan, e që sipas tij do të përbënin lajm të mirë për Vuçiqin dhe Dodikun.
“Nëse Richard Grenell e zëvendëson Jamie O’Brien në postin e Ndihmës Sekretarit Shtetit, gjë që është e mundur, atëherë mund të rikthehen edhe idetë për ndarje të territoreve në Ballkan. Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik do të ishin të parët që do t’i mirëprisnin këto zhvillime. Shpresoj që në Kosovë askush nuk do t’i pranojë këto ide. Familja e Trump ka interesa ekonomike në Beograd përmes Jared Kushner, andaj nuk pres që ata të kenë marrëdhënie jomiqësore me Serbinë”, shprehet ai.
Serwer ka komentuar edhe marrëdhëniet e kryeministrit Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Albin Kurti është sjellë në atë mënyrë që mendon se duhet të sillet një kryeministër i një vendi sovran dhe kjo e dallon atë nga kryeministrat e mëparshëm. Të tjerët para tij kanë pranuar direktiva nga amerikanët edhe pse kanë qenë të dëmshme siç është rasti me krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Kurti akoma nuk ka rrëshqitur në atë kurth por ka rënë në kurthe të tjera duke e humbur pjesërisht mbështetjen e Uashingtonit dhe Brukselit. Kurti duhet ta ketë prioritet përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët perëndimor”, pohon Serwer.
Krejt në fund profesori amerikan shprehet kritik ndaj komuniteti ndërkombëtar për qasjen e butë dhe ledhatuese ndaj Serbisë.
Ai shprehet i bindur se problemet mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhen me këtë qasje të bashkësisë ndërkombëtare./Njeshi/