35 C
Pec
E mërkurë, 17 Korrik, 2024

Serwer: Nevojitet riformatimi i dialogut, Lajçak ka dështuar

Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer, thotë se është i nevojshëm riformatimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka dështuar pasi palët s’po e zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit dhe si të tilla janë jo efektive.

Ai në një intervistë për KosovaPress, ka kritikuar në veçanti Serbinë që s’po pranon të nënshkruajë marrëveshjen dhe po e mohon vazhdimisht të njëjtën.

Analisti amerikan kërkon nga Bashkimi Evropian largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa thekson nevojën që sa me shpejtë përgjegjësit e sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë. Krahas këtyre, ai deklaron se raportet Kosovë-ShBA janë në një kohë të vështirë, mirëpo shton s’ka ndryshuar asgjë sa i përket qëllimeve për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Njohësi amerikan i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor thotë për KosovaPress, se në kuadër të riformatimit të dialogut duhet të shkohet më shumë drejt përafrimeve në çështje praktike në teren, sesa drejt normalizimit politik.

“I takon Kosovës dhe Serbisë ta bëjnë këtë(zbatimin e marrëveshjes). Serbia ka refuzuar qartë me shkrim zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Nuk mund të bëj asgjë për ta detyruar Serbinë ta pranojë atë. Mendoj se është fare e qartë se ne kemi nevojë për një rivendosje në dialog, do të doja të shihja një rivendosje drejt çështjeve më praktike dhe jo drejt normalizimit politik. Është një urë shumë larg”, thotë ai.

Megjithëse deklaron se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e njeh Ballkanin Perëndimor më shumë se çdo diplomatë që ka shërbyer në rajon, sipas tij i njëjti ka dështuar në dialog.

“Miroslav (Lajçajk) e njeh Ballkanin si çdo diplomat që ka shërbyer këtu, më mirë se 99 për qind do të thosha. Por ai nuk ka pasur sukses. Janë këto dy marrëveshje, janë marrëveshje që Serbia i ka mohuar dhe kjo është një dështim”, shton Server.

Profesori amerikan e konsideron të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Natyrisht, duhet të hequr sanksionet ndaj Kosovës. Dhe më vjen mirë që i shoh ata të inkorporojnë dispozitat e marrëveshjeve në kapitujt për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe të bëjnë të njëjtën gjë për Kosovën përfundimisht, kjo është një gjë e mirë. Por ende tani për tani marrëveshjet nuk janë më efektive”, deklaron ai.

Duke folur për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, Serveri thotë se përgjegjësi i këtij sulmi, Milan Radoiçiq duhet të dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë.

“Është e pafalshme. Është e pafalshme, veçanërisht Radojicic duhet të dorëzohet në Kosovë për gjykim”, thekson Server.

Sa i përket raporteve Kosovë-ShBA, analisti amerikan thotë se rrethanat kanë qenë pak të vështira në këtë kohë, mirëpo siç deklaron ai s’ka ndryshuar asgjë nga objektivat amerikane për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Kohët padyshim kanë qenë pak të vështira, por ju e dini, nuk ka asgjë thelbësisht të ndryshme ndërmjet objektivave amerikane për Kosovën dhe objektivave të Kosovës për Kosovën, të dyja duan këtë shtet sovran dhe të pavarur, dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme”, përfundon Serwer.

Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar gjatë kësaj jave në Bruksel, në kuadër të dialogut, mirëpo ai ka zhvilluar takim vetëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nuk është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti para se të takohet me Vuçiq ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, tërheqjen e letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq ndaj vendeve të BE-së se nuk zbatojnë nene të caktuara të marrëveshjes dhe dorëzimin e Radoiçiq organeve të drejtësisë në Kosovë. /KP/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...