13.1 C
Pec
E mërkurë, 17 Prill, 2024

SHBA dhe BE mbështesin Prokurorinë: Kritikat e udhëheqësve të vendit nuk duhet të ju pengojnë

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se pushteti gjyqësor dhe prokurorial është unik në mbrojtjen e vlerave.

Kelmendi ka theksuar se vitin e kaluar Kosova ka shënuar një sërë rezultatesh në drejtësi.

“Mbajtja e konferencës koincidon edhe me datën e ardhjes së Skënderbeut dhe bashkimin e principatave. Kemi zgjedhur këtë datë për të treguar se pushteti gjyqësor dhe Prokurorial është unik dhe i pandashëm në mbrojtjen e vlerave të vendit. Viti i kaluar ishte vit sfidash por edhe mjaft efikas për institucionet e Prokurorit të Shtetit. 52 mijë e 93 raste ka pranuar, 43.793 raste i ka përfunduar. Në vitin 2023 Kosova ka shënuar rezultate të konsiderueshme në drejtësi. Edhe zyrtarët shtetërorë që vazhdimisht i kritikojnë punën e Prokurorit te Shtetit i pranojnë këto rezultate”, ka thënë ai në konferencën vjetore të Prokurorit të Shtetit.

Kelmendi ka treguar për arritjet në ndalimin e krimit. Ai ka bërë thirrje që të ruhet pavarësia profesionale në sistemin e drejtësisë, dhe për paanësi.

“Te krimet ekonomike kemi arritur të përfundojmë 446 raste me 583 persona. Pasojat e korrupsionit për shoqërinë janë shumë të mëdha. 39 raste me 129 persona të krimit të organizuar. Lidhur me krimet e luftës, janë bërë shumë hapa pozitiv për kryerjen e rasteve, vetëm në 2023 ka zgjedhur 20 raste të tilla. Ka trajtuar me seriozitet edhe rastet e terrorizmit me 24 raste e 26 persona. Mbi 111 milionë euro janë ngrirë, sekuestruar dhe konfiskuar. Janë zgjedhur 52 raste me 80 persona të trafikimit të qenieve njerëzore. 3.069 raste janë zgjedhur me 3.450 persona të Dhunës në Familje. Sfidë për ne janë rastet me kryerës të panjohur”, ka deklaruar ai.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke i dhënë mbështetje e ka inkurajuar u.d të kryeprokurorit që të punojë për të krijuar kulturë të profesionalizmit nëpër çdo zyrë.

Hovenier është shprehur se kritikat ndaj punës së prokurorit janë të pritshme, por se ato duhet të bëhen ballë.

“Jam impresionuar me atë që kam parë me vendosmërinë tuaj dhe punën tuaj. Keni treguar përkushtim të madh. E di se puna e një prokurori nuk është e lehtë. Edhe pse mund të shiheni si figura të fuqishme është e pritshme që të kritikoheni me punën tuaj. Jam i bindur se është frustruese e ofenduese që të merrni kritika nga qytetarët e udhëheqësit e vendit. Dëshiroj të theksoj se durimi i këtyre kritikave që të mos ju pengojnë për të kryer punën tuaj është i rëndësishëm, duhet ta kryeni punën tuaj me profesionalizëm dhe pa ndikim”, ka thënë Hovenier.

E, shefi i Zyrës së BE-së, Tomáš Szunyog, ka theksuar se duhet të ndalohen kritikat e pushtetit ndaj Prokurorisë, ndërkohë ka garantuar mbështetjen e BE-së ndaj saj.

“Kohëve të fundit fatkeqësisht kam vënë re deklarata nga pushteti duke kritikuar punën tuaj. Kam reaguar në këtë, kjo duhet të ndalohet. Dua ta përmend çështjen e kryeprokurorit te shtetit, kjo zgjidhje e përkohshme nuk duhet të zgjatet sepse ka ndikim negativ”, ka theksuar Szunyog./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...