Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se vendi i saj ka pranuar gati 39 mijë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo është një ulje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, kur Meksika kishte pranuar rreth 52 mijë emigrantë të deportuar nga SHBA-ja gjatë periudhës shkurt–prill, nën administratën e presidentit amerikan, Joe Biden
Edhe duke marrë parasysh deportimet amerikane drejt “Trekëndëshit të Veriut” në Amerikën Latine – që përfshin Hondurasin, Salvadorin dhe Guatemalën – të cilat përbënin më shumë se gjysmën e të gjitha deportimeve në muajin mars, duket se Trump është ende pak larg objektivit për të dëbuar një milion persona në vit.
Të dhënat publike kanë treguar një rritje të zbatimit të ligjeve të emigracionit nën udhëheqjen e Trumpit, përfshirë një rënie të ndjeshme të kalimeve të paligjshme në kufi dhe një shtim të arrestimeve të emigrantëve – por jo domosdoshmërisht të numrit të deportimeve.
Shtëpia e Bardhë deklaroi dje se ishte në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin vjetor të Trumpit, duke pretenduar se kishte deportuar 139 mijë persona që nga inaugurimi. Por, ekspertët e emigracionit thonë se këto shifra nuk përputhen.
Agjencia Amerikane për Imigracionin dhe Doganat (ICE), e cila është e detyruar nga Kongresi të publikojë çdo dy javë të dhëna për ndalimet dhe deportimet, ka raportuar se ka dëbuar më pak se gjysmën e atij numri – afërsisht 57 mijë persona. /Njeshi/