Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjersa thekson se SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian.
Chollet ka zhvilluar bisedën telefonike me Kurtin dy ditë para takimit të 27 shkurtit në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq në një postim në Twitter shkruan se me kryeministrin ka diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti përpara takimit të liderëve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, shkruan Chollet.
Kurti ia konfirmon Cholletit qëndrimin pro propozimit evropian, thotë se është bazë e mirë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë
Këshilltari amerikan tha se tani është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se të dy vendet duhet të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar tashmë përmes procesit të Dialogut, duke përfshirë përparimin drejt themelimit të Asocacionit…”, shkruan ai.
Për bisedën me Chollet ka njoftuar mbrëmë edhe kryeministrit Kurti.
Kurti tha se kjo bisedë telefonike me Chollet shërbeu si një mundësi që t’ia rikonfirmojë ShBA-së se e pranon si bazë të mirë propozimin evropian.
Ai tha se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet me njohje reciproke në qendër të marrëveshjes, dhe respektim të të drejtave të minoriteteve në të dy shtetet.
“Bashkëbisedim i mirë sot me @CounselorDOS. E konfirmova mbështetjen time për propozimin e BE-së si bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke në qendër të marrëveshjes si dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve, në të dyja shtetet”, njoftoi Kurti në Twitter.