Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, kanë ripërsëritur qëndrimet kundër veprimeve të fundit të Kosovës në veri.
Në këtë kontekst, QUINT-i dhe BE-ja presin që autoritetet e Qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Sipas tyre, kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë anëtarët e komuniteteve të tyre.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it. Veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe BE-në”, thuhet më tej.
Kuinti dhe BE-ja theksojnë se Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pranimit në BE.
“I rikujtojmë palët që të punojnë së bashku në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars të këtij viti, duke përfshirë edhe ASMM, dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë në takimet e ardhshme të Dialogut”, thuhet në fund.