8.8 C
Pec
E enjte, 18 Prill, 2024

Shea: Nuk shoh perspektivë për luftë mes Kosovës e Serbisë – autorët e Banjskës ishin të trajnuar, financuar e profesionistë

Pardje janë bërë 25 vjet prej fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë.

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea në kohën e bombardimeve në Kosovë ka thënë se bombardimet janë kryer me qëllim të mbrojtjes së popullatës së Kosovës nga shkeljet e mëtejshme të të drejtave të njeriut.

“Ishin ditë të vështira. Nuk ishin të lehta, por ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Dhe 25 vjet më vonë, unë vazhdoj të besoj se ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Më kujtohet, natyrisht, tensioni, duke mos ditur se sa do të zgjaste fushata e sulmeve ajrore. Ishin 78 ditë, që dukej një periudhë shumë, shumë e gjatë në atë kohë”

“Ne po ndërhynim për të mbrojtur të drejtat e njeriut të popullit të Kosovës. Por për mua, sigurisht momenti më i mirë ishte fundi, kur vizitova Prishtinën pas fushatës së bombardimeve në qershor të vitit 1999 dhe pata një përshëndetje shumë të ngrohtë nëpër rrugët e Prishtinës nga Kosova. Dhe për mua, kjo ishte diçka që e bëri të vlefshëm gjithë pasigurinë, gjithë ankthin. Ishte një moment fantastik dhe një kujtim i mrekullueshëm”, tha Shea.

Shea tutje foli edhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, ku tha se nuk sheh perspektivë për një luftë mes Serbisë e Kosovës.

“Epo, nuk mendoj se duhet të dramatizojmë situatën. Nuk shoh perspektivë për një luftë mes Serbisë dhe Kosovës. Por ka tensione, sigurisht, dhe kjo është një nga arsyet pse NATO dërgoi forca shtesë në KFOR vitin e kaluar, si para incidentit në Banjskë, ashtu edhe pas incidentit në Banjskë, për t’u siguruar që ka mjaft ushtarë të NATO-s në Kosovë, përfshirë këtu në veri, për të parandaluar çdo lloj agresioni, për të parandaluar çdo lloj sulmi”.

“Pra NATO është shumë vigjilente. Gjëja e dytë, natyrisht, është se NATO-ja i ka bërë thirrje Beogradit të shpërbëjë çdo strukturë paraushtarake, veçanërisht organizatën pas incidentit në Banjskë. Ata njerëz ishin ushtarakë profesionistë. Ata ishin të armatosur mirë. Ata padyshim ishin të trajnuar. Ata ishin të pajisur financiarisht. Duhet të ketë një organizatë pas gjithë kësaj, dhe serbët duhet të hetojnë dhe t’i çmontojnë ato lloj organizatash”, tha tutje Shea.

Ish-zëdhënësi i NATO-s foli edhe për dialogun në mes Kosovës e Serbisë, ku tha se BE-ja duhet të jetë e balancuar për sa i përket stimujve dhe presionit nga të dyja palët.

“Nuk mund të jenë të gjitha lëshimet nga njëra anë, asnjë lëshim nga ana tjetër. Kjo nuk do të prodhojë paqe dhe stabilitet afatgjatë. Beogradi ka përgjegjësitë e veta. Kjo është shumë e qartë tani. Presidenti Vuçiç pranoi marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në Ohër të Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar. Ai e ka pranuar atë marrëveshje me kryeministrin Kurti, kështu që edhe ai ka përgjegjësi ta zbatojë atë me mirëbesim dhe në të njëjtën kohë”.

“Siç e kam thënë shpesh, ajo që na duhet është edhe një periudhë qetësie relative në veri pas një sërë incidentesh, siç e dini, me zgjedhje, me inkursione, me targa. Tani kemi situatën me Deçanin. Kështu që unë mendoj se është gjithashtu shumë e rëndësishme që kryeministri Kurti të tregojë se ai është gjithashtu një partner i besueshëm përballë Shteteve të Bashkuara dhe ndaj Bashkimit Evropian. Ajo që ka qenë e suksesshme në të kaluarën është se qeveria e Kosovës ka punuar shumë, shumë ngushtë me miqtë e saj të mëdhenj në BE, në NATO, me Shtetet e Bashkuara, me vendin tim, Britaninë e Madhe. Ne kemi qenë partnerë të mirë dhe duhet ta ruajmë këtë partneritet edhe në vazhdim”, tha ai. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...