Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka arritur në Presidencë për takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani dhe Rutte pas takimit pritet të kenë edhe një konferencë për media. Më pas, Rutte do të niset drejt qeverisë, për të zhvilluar një takim edhe me Kryeministrin Albin Kurti.
Takimi mes tyre do të zhvillohet në ora 14:50.
Mark Rutte, në një intervistë për Al Jazeera, duke folur për rritjen e tensioneve në rajon tha se ajo çka ka ndodhur në Bosnjë dhe Herecegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995, dhe në Kosovë deri në vitin 1999, nuk guxon të përsëritet kurrë më.
“Kosova është një vend shumë i rëndësishëm, ku NATO ka prezentë të fortë përmes KFOR-it. Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë që ky shtet të jetë në situatën më të mirë të mundshme. Atje ka pasur zgjedhje dhe do të shohim si do të formohet Qeveria e re. Gjithë kjo është pjesë e një procesi normal demokratik, gjë që është e mirë. Por në të gjithë rajonin situata po ndryshon. Jam në komunikime intensive, jo vetëm me krerët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, por javën e kaluar kam biseduar edhe me Vuçiqin, që javën tjetër pritet të jetë së shpejti në Bruksel. Pra, komunikimet janë intensive që tensionet në rajon të ulen.
Ajo çka ka ndodhur në këtë rajon, në Bosnjë dhe Herecegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995, dhe në Kosovë deri në vitin 1999, nuk duhet të përsëritet kurrë më. Ky rajon ka potencial të madh. Dëshirojmë që të rinjtë që jetojnë këtu, të qëndrojnë këtu, të jenë të suksesshëm, të hapin biznese, të inkuadrohen në rrethet politike dhe akademike, të bëhen artistë të mëdhenj dhe ta zhvillojnë këtë vend”, tha Rutte.
Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë që kur mori drejtimin e NATO-s në tetor të vitit të kaluar. Ai do të jetë i shoqëruar nga ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut./Njeshi/