27.1 C
Pec
E martë, 23 Korrik, 2024

Shefi i NATO-s shpreson se Ukraina do t’i bashkohet aleancës brenda 10 vjetëve

Shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se shpreson se Ukraina do të mund t’i bashkohet aleancës ushtarake brenda dhjetë vjetëve të ardhshme.

“Vërtet shpresoj se Ukraina do të bëhet aleat”, tha Stoltenberg duke iu përgjigjur pyetjes për zgjerimin e mundshëm të NATO-s në dhjetë vjetët e ardhshme.

Ai u bëri thirrje aleatëve të NATO-s ta furnizojnë Ukrainën me më shumë armë dhe municione për t’i ndihmuar ta mposhtë pushtuesin rus.

“Sa më e madhe që të jetë mbështetja, aq më shpejt do të përfundojë lufta”, theksoi ai.

Stoltenberg, të cilit i mbaron mandati më 1 tetor, i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA, e cila u publikua të premten.

Liderët e NATO-s do të takohen javën e ardhshme në Uashington, për ta festuar 75-vjetorin e themelimit të aleancës, ku pritet të njoftojnë mbështetje të re për Ukrainën.

Ukraina është duke trokitur në dyert e NATO-s qysh prej vitit 2008, kur iu premtua se një ditë do të jetë anëtare.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndërkohë, ka thënë kohë më parë se Kievi duhet të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e Uashingtonit, pasi dështoi të marrë ftesën në samitin e 2023-ës në Vilnius, pavarësisht lobimit.

Njëra prej gjërave kryesore që do të bjerë në sy gjatë këtij samiti është formulimi në deklaratën përfundimtare në lidhje me gjasat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Përpilimi i këtij dokument, i cili përbëhet zakonisht nga disa faqe, është duke ndodhur tash e disa javë në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Por, mospajtimet kryesore kanë të bëjnë me mënyrën e saktë të përshkrimit të gjasave të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës.

Ukraina nuk do të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s tash, kjo është shumë e qartë.

NATO-ja ka qenë e prerë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet asaj derisa lufta është duke vazhduar, sepse vendet anëtare nuk duan të zhyten në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...