Solidariteti dhe humaniteti në vepër, është tashmë traditë dhe princip i bashkëatdhetarëve nga Peja, që jetojnë e punojnë në Londër.
Nëpërmjet Shoqatës ‘Peja’ në Londër, bashkëatdhetarët tonë, në respekt të Muajit të Madhërishëm Ramazan, kësaj radhe po mbështesin 210 familje në nevojë, dhe jo vetëm në Pejë por edhe në komuna tjera të Kosovës.
Alban Beqiri – Kryetar i Shoqatës ‘Peja’ në Londër, ka ardhur personalisht këto ditë në vendlindje dhe po i prinë aksionet të ndarjes vet.
Pakot kanë përmbajtje ushqimore dhe higjienike familjare.
“Janë mjete të tubuara nga nga bashkëatdhetarët në Londër. Këtë herë mbështesim 210 familje në nevojë. Një pjesë janë dedikim për veteranët e UÇK-së. Në Pejë e rrethinë ndarja htë bërë me bashkëmenaxhim me shoqatën ‘Bereqeti’, kjo që mos të gabojmë dhe mbështetja të shkojë bash aty ku duhet. Të martën e javës së ardhshme do të ndajmë pako të njejta edhe në komunat Skënderaj, Mitrovicë dhe Istog.’-deklaroi Beqiri në ‘RADIO 1′
Tutje Beqiri ka shtuar se dëshira më e madhe e bashkëatdhetarëve është që një ditë Kosova mos të ketë nevojë për ndihma të tilla dhe secili qytetarë të ketë pozitë të dinjitetshme sociale.
“Lutemi që një ditë Kosova jonë mos të ketë nevojë për këto ndihma tonat. Secili njeri të ketë pozitë të dinjitetshme sociale. Ne prap nuk do ndalemi edhe nëse vie ajo ditë dashtë Zoti, porse do investojmë në plot gjëra tjera për ta bërë vendin më të bukur.’-shtoi ai.
Ndryshe, Shoqata ‘Peja’ në Londër, bashkë me Shoqatën ‘Peja’ në Nju Jork kanë qenë mbështetëse të fillimit të projektit ‘RADIO 1’ dhe Portali ‘Njeshi’./RADIO 1/