Një operacion kërkim-shpëtimi është përmbyllur me sukses në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pasi dy turiste të huaja humbën rrugën dhe u përballën me kushte ekstreme në shtegun ndërkufitar High Scardus Trail, përkatësisht në segmentin 3 pranë liqenit të Livadhit në Brezovicë.
Për shkak të mungesës së sinjalit telefonik në atë zonë, ndihma është kërkuar përmes butonit SOS të pajisjes Garmin inReach, që ka transmetuar koordinatat e vendndodhjes së tyre.
Skuadra e ShKShMK ka ndërmarrë menjëherë aksionin e kërkim-shpëtimit, duke mbërritur me shpejtësi në koordinatat e para.
Megjithatë, pas mbërritjes, është vërejtur se turistet kishin ndryshuar vendndodhje duke u nisur drejt luginës së Gotovushës në përpjekje për të gjetur strehim nga stuhia, pavarësisht paralajmërimeve për të mos lëvizur.
Pas dhënies së ndihmës së parë, ka filluar evakuimi i tyre përmes shtigjeve alternative, për shkak të vështirësive të krijuara nga drejtimi i gabuar në të cilin ishin nisur. I gjithë operacioni ka zgjatur 10 orë e 30 minuta, dhe është përmbyllur me sukses.
Ky aksion është realizuar me bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit nga Komuna e Shtërpcës si dhe banorë vullnetarë nga Shtërpca.
ShKShMK ka shprehur mirënjohje për të gjithë të përfshirët në këtë mision për përkushtimin dhe shpirtin human që mundësuan shpëtimin e jetëve në kushte të jashtëzakonshme./Njeshi/