10.7 C
Pec
E diel, 27 Prill, 2025

Shqetësohet AVONET: Qeveria shuan pozitën e Udhëheqësit të Njësive të Patentë Shoferit

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me, siç thotë, vendimin e Zyrës së Kryeministrit, i cili përmes Rregullores 08/2024 për sistemimin e vendeve të punës në MMPHI, ka shuar pozitën e Udhëheqësit të Njësive të Patentë Shoferit.

Ky vendim, sipas AVONET, paraqet një goditje të radhës ndaj funksionimit të këtij sektori të rëndësishëm dhe rrezikon të përkeqësojë edhe më tej situatën tashmë të brishtë të administrimit të shërbimeve të patentë shoferit në Kosovë.

AVONET thotë se departamenti i Patentë Shoferit përballet me sfida serioze në menaxhimin dhe funksionimin e tij, si dhe në luftimin e keqpërdorimeve në këtë sektor.

“Me këtë vendim, degradimi i institucionit përshpejtohet, duke bërë të pamundur një menaxhim të mirëfilltë të procesit. Nuk është e pranueshme që administrimi i një shërbimi kaq të ndjeshëm të mbetet vetëm në përgjegjësinë e një udhëheqësi divizioni, i cili duhet të mbulojë të gjitha komunat e Kosovës, në vend që të ketë udhëheqës të njësive rajonale, ashtu siç ka qenë më parë”, thotë ky rrjet i OJQ-ve.

AVONET tha se ka bërë përpjekje për të ngritur këtë çështje dhe për të realizuar takime me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), por thekson se “institucionet përkatëse kanë zgjedhur të heshtin”.

AVONET thotë se këto veprime të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive përkatëse nuk janë të mirëpritura dhe duhet urgjentisht të rishikohen, pasi thotë se ky vendim “dëmton interesin shtetëror dhe shoqëror, duke shuar pozita kyçe në një sektor ku qytetarët kanë nevojë për shërbime më efikase dhe më të organizuara”.

“Në vend që qeveria të fokusohet në përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e sundimit të ligjit, po ndërmerren hapa që e dobësojnë edhe më tej administrimin e sektorit, tha AVONET, teksa u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të reflektojnë dhe të tërheqin këtë vendim. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...