28.6 C
Pec
E premte, 21 Qershor, 2024

SHQIPËRI: Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, SPAK mbylli hetimet

Kur kanë kaluar pesë vite nga atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, Prokuroria e Posaçme SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim.

Si rezultat i këtyre hetimeve disa vjeçare, SPAK ka arritur që të dokumentojnë rolet e të gjithë personave të përfshirë në këtë atentat, i cili i mori jetën shoferit Andi Maloku, e ndërsa la të plagosur prokurorin Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, një person i njohur në botën e krimit.

Të përfshirë në këtë ngjarje, përveç Redjan Rrajës dhe Ariol Halilajn, ndaj të cilëve ka nisur më herët gjykimi në GJKKO, të përfshirë kanë qenë edhe Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. 6 të pandehur, duke funksionuar si një grup i strukturuar kriminal kanë siguruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për kryerjen e ekzekutimit.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, bazuar dhe në analizën e komunikimeve të kriptuara, janë administruar prova të cilat kanë evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjithashtu, këta persona janë përpjekur edhe që t’u mbyllnin gojën të arrestuarve që të mos zbulonin të gjithë bashkëpunëtorët.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime”, vijon njoftimi. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...