Në Shqipëri, burime të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar thanë të enjten se hetimet ndaj ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj kanë rregjistruar “zhvillime surprizuese”, duke shtuar se bëhet fjalë për “fakte dhe prova të reja penale”, por pa ofruar detaje të tjera. Zoti Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi u largua nga vendi, ditën që Prokuroria e Posaçme ju drejtua parlamentit me kërkesën për autorizim për arrestimin e tij.
Ish zëvendës kryeministri, emri i të cilit u shfaq gjatë hetimeve për inceneratorët, dyshohet për të paktën tre vepra penale nga korrupsioni pasiv te fshehja apo mos deklarimi i pasurisë, të pastrimi i parave. Prokurorët kanë deklaruar të kenë zbuluar lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve që fituan kontratat koncensionare për ndërtimin e inceneratorëve, të ciat po ashtu sipas tyre, qëndronin pas disa transaksioneve financiare të kryera nga zoti Ahmetaj. Nën sekuestro janë vënë disa pasuri të patundshme të tij si dhe llogari bankare.