U bë për një ditë, kryeqendra e Europës duke organizuar Samitin e Procesit të Berlinit.
Integrimi për Ballkanin Perëndimor, ishte kryefjalë e samitit.
“Samiti u mbyll me diskutime mjaft të frytshme, me shkëmbime vërtetë të hapura dhe me një ndjenjë të vërtetë miqësie”. Kështu vlerësoi kryeministri Edi Rama në mbyllje të samitit.
Rama komplimentoi Bashkimin Europian, duke thënë se kjo organizatë është e hapur jo vetëm për vendet anëtare por edhe për vendet që duan të jenë pjesëmarrëse.
“Sot BE eshte gati te beje hapa drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është shumë ndryshe tani. Jam shumë optimist rreth kësaj qasjeje. Ky Komision po i ndryshon gjerat që ishin të paimagjinueshme për ne para 2 vitesh”, tha Rama.
“Diçka po ndryshon formalisht që kur Rusia sulmoi Ukrainën. Samiti ka sjellë rezultate fantastike. Jam shumë optimist për këtë shpirt dhe për këtë aprovim sepse jemi në nivel shumë të lartë, dhe ky mision po ndryshon gjëra që ishin të paimagjinueshme për ne. Ky samit është historik, pasi ka hapur një fazë të re, sepse do të jetë edhe më i madh. Nuk kam kërkuar për takime pasi kam kuptuar që të mbash një takim me BE-në, nuk ka lidhje se sa shumë i do, por sa kohë kanë që t’ju takojnë. Por tani e dimë duhet t’i bësh detyrat për veten tënde.”
Presidentja e Komisionit, Von der Leyen thotë se 2030 nuk është një afat për anëtarësimin pasi procesi bazohet në meritë.
“Sa i përket afatit të vitit 2030, nuk mund të ketë një datë të saktë, të prerë, pavarësisht reformimit apo jo. Është e bazuar në meritë”, tha ajo.
Kurse President i Këshillit të Europës Charles Michel i premtoi Ramës, që “dasma” po përgatitet.
“Ne në BE duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj deri në 2030 për t’u zgjeruar dhe e di që ky afat, është hasur me disa skepticizma në rajonin tuaj, sepse keni pritur për një kohë të gjatë dhe e di Edi, që e keni krahasuar zgjerimin me një nuse dhëndri i së cilës nuk vjen asnjë herë në dasëm. Megjithatë ne po e përgatisim këtë dasëm”, tha Charles Michel.
Presidentja Von der Leyen tha se ka propozuar një paketë investimi prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Ajo u shpreh se fondi i kushtëzuar përbëhet nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi, ndërsa theksoi se do të lirohet me zbatimin e reformave.
“Plani i ri i Rritjes ka katër shtylla. Shtylla e parë e Planit është sjellja e Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik. Ne në thelb hapim derën e Tregut Unik në shtatë fusha kyçe për kompanitë e Ballkanit Perëndimor, tani. Shtylla e dytë është se vetë Ballkani Perëndimor duhet të plotësojë tregun e tyre të përbashkët rajonal. Nëse ata përfundojnë tregun e tyre të përbashkët rajonal, kjo mund të rrisë PBB-në e Ballkanit Perëndimor me 10%. Pra, edhe Ballkani Perëndimor duhet të hapë tregjet e veta për pesë fqinjët dhe partnerët e tyre.
Shtylla e tretë janë reformat. Nëse duam t’i japim akses Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm Evropian, sigurisht që duhet të ketë një fushë loje të barabartë, të njëjtat rregulla dhe standarde. Kjo do të thotë se reformat janë të nevojshme. Dhe këto reforma do të sjellin gjithashtu Ballkanin Perëndimor më afër anëtarësimit. Këto reforma gjithashtu do ta bëjnë Ballkanin Perëndimor edhe më tërheqës për investitorët evropianë dhe do të bëjnë që ekonomitë tona përkatëse – gjë që është shumë e rëndësishme – të konvergojnë.
Së fundi, shtylla e katërt e Planit është, nëse po bëhen përpjekje për reforma, ato do të përputhen me rritjen e fondeve të BE-së për investime. Me fjalë të tjera, ne kemi propozuar një paketë investimi prej 6 miliardë eurosh. Kjo është e përbërë nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. E njëjta logjikë vlen si për planin tonë të investimeve “NextGenerationEU” për Shtetet Anëtare. Janë investime dhe reforma. Fondet do të lirohen me zbatimin e reformave. Pra është e kushtëzuar.“
Për kancelarin gjerman Olaf Scholz anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i vonuar.
“Unë jam i bindur që është gabim që pasi u takuam në Selanik 20 vite më parë Ballkani Perëndimor nuk është anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Duhet të ishte bërë tashmë anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jemi shumë të angazhuar për të bërë të mundur anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. E gjitha është e bazuar në meritë”, tha Scholz.
Gjatë Samitit u firmos marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale. Në këtë marrëveshje shtohen tanimë disa profesione të tjera, duke lehtësuar më tej lëvizjen e profesionistëve dhe shfrytëzimin e potencialit të burimeve njerëzore. Marrëveshja u nënshkrua mes Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe BE-së.