8.2 C
Pec
E shtunë, 2 Mars, 2024

SHQIPËRI: Trafikuan 2.7 milionë euro drogë, Prokuroria e Posaçme SPAK mbyll hetimet për grupin kriminal

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake për një grup kriminal i cili e shtrinte aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike nga vendet e Lindjes së Mesme, Turqi, Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të BE-së.

Hetimi penal u krye nga një Skuadër e Përbashkët Hetimore midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Itali, me koordinimin e Eurojust dhe Europol.

Gjatë hetimeve të kryera janë dokumentuar linjat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe personat e përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali e vende të tjera.

Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2020 e në vazhdim ku është bërë e mundur sekuestrimi i sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike në Durrës, Tiranë, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Maqedoninë e Veriut, në Greqi dhe Itali.

Sipas SPAK, nga ky grup janë evidentuar tetë episode trafikimi të lëndëve narkotike të llojit “Kokainë”,“Heroinë”,“Marijuanë”, “Risinë”, e cila është siguruar në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, më pas është trafikuar në Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e BE-së.

Vlera e përafërt e drogës së sekuestruar kap shifrën e rreth 2,700,000 euro. Gjithashtu Policia e Shtetit ka sekuestruar dhe automjete, pajisje kompjuterike, aparate celular dhe vlera monetare.

Gjatë hetimit është dokumentuar edhe një rast korruptiv i një punonjësi të policisë së shtetit, i cili kundrejt përfitimit të parregullt ka ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal.

Në përfundim të hetimeve paraprake janë akuzuar të pandehurit Endrit Bakiu, Sulo Pajo, Artur Sulaj, Arian Tola, Fadjon Cami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Sonila Sula, Kudret Rustemaj, Besnik Ruçi, Pirro Capi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Tomi Hila, Leonard Nergjoni, Artin Kurti, Astrit Miska, Ervis Cilo, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

I pandehuri Mirash Gjoni, ish punonjës policie ne Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër është akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, ndërsa i pandehuri Besnik Ruçi, krahas veprave penale të mësipërme është akuzuar dhe për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione pubilke”.

Në datën 26.12.2023 Prokuroria e Posaçme ka përcjellë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.249 të vitit 2020, në ngarkim të 21 të pandehurve të mësipërm, me akuzat e tyre respektive.

Ndërkohë është vendosur ndarja e çështjes për hetime të mëtejshme për fakte penale të tjera. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...