Organizimi i nivelit sekondar të shëndetësisë, (Spitaleve të Përgjithshme dhe Klinikave) që deri më tani i kanë takuar sistemit sekondar të shëndetësisë, me rregulloren e re të Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) që ka hyrë në fuqi më datë 8 prill 2024 ka ndryshuar tërësisht këtë organizim në nivel vendi duke ja marrë pothuajse të gjitha kompetencat Spitaleve dhe Klinikave dhe duke i bartur këto kompetenca SHSKUK-së.
SHSKUK që gjithmonë është vlerësuar si një krijesë e çuditshme duke qenë se nuk i takon sistemit shëndetësorë pasi që nuk ofron asnjë shërbim shëndetësorë, por vetëm ato administrative tashmë ka marrë përsipër kryerjen e pothuajse të gjitha kompetencave që ka pasur niveli sekondar shëndetësorë.
Spitalet dhe klinikat si ajo e transfuzionit të gjakut, mjekësisë sportive, qendrat e shëndetit mendor etj, tashmë nuk do të kenë kompetenca për të rekrutuar personel ngase konkurset për tërë sistemin sekondar do ti kryejë SHSKUK-ja në Prishtinë. Njëjtë do të jetë edhe për prokurim, ku Spitalet për secilin furnizim, blerje apo shërbim tjetër duhet të dërgojnë kërkesat në SHSKUK e pastaj ata do të kryejnë tenderimet për Spitalet dhe Klinikat.
Po ashtu edhe sa i përket ankesave dhe komisioneve disiplinore procedurat e tyre do ti trajton SHSKUK-ja, dhe Spitalet e Klinikat mund vetëm të iniciojnë eventualisht procedura por jo edhe të zbatojnë masa disiplinore apo të shqyrtojnë ankesat e qytetarëve. Administratat e deritanishme të Institucioneve shëndetësore të nivelit sekondarë do të duhet që edhe pushimet vjetore ti kërkojnë në SHSKUK ngase ata me rregulloren e re janë pjesë e SHSKUK-së dhe jo e Spitaleve apo Klinikave si deri më tani.
Rregullorja parasheh edhe tituj e koeficient të rinj. Në nivelin sekondar më nuk do të ketë asnjë pozitë të lartë si menaxher i personelit, Zyrtar Kryesor Financiar, Shef të Zyres Ligjore etj. ngase të gjitha këto pozita do të jenë vetëm në SHSKUK ndërsa personeli i gjertanishëm me këto pozita në Spitale dhe Klinika të nivelit sekondar do të zbresin vetëm në zyrtarë, e që në mënyrë automatike bien edhe koeficientët e tyre nga 7.3 (sa e ishin deri më tani) në 5.1, pra për më shumë se 250 euro do të ketë zvogëlim të pagave të tyre.
Më të prekur pritet të jenë disa pozita në Administratat e deritanishme të nivelit sekondar në Spitale e Klinika që parashihen të zhduken fare. Zyrtarët për certifikim, zyrtarë për pagesa, Zyrtar zotues, zyrtar shpenzues, zyrtar për pasuri dhe kategori të përafërta do të ketë vetëm në nivel të SHSKUK, ndërsa me zyrtarët aktual që numri i tyre është afro 100, nuk dihet se çfarë do të bëhet.
Më e kobshmja, sipas njohve të çështjeve do të jetë, që disa mund edhe të humbin punën ndërsa në realitet menaxhimi i Institucioneve sekondare nga një qendër në Prishtinë vetëm do të shkatërron shëndetësinë e nivelit sekondar dhe me këtë edhe azhuritetin e përkujdesjes ndaj pacientëve.
Nga kjo rregullore përfitojnë vetëm zyrtarët në SHSKUK që kanë vendosur koeficiente të larta për vetën, por sistemi shëndetësorë dhe pacientët me centralizim vetëm do të humbin” theksoi ai që nuk deshi ti përmendet emri për shkak të mundësisë së marrjes së masave disiplinore ndaj tij. E habitshme e krejt kësaj është që askush nuk e di se çfarë përfitimesh mund të ketë me këtë organizim të ri sa i përket shërbimeve shëndetësore dhe po ashtu pse tërë ky ndryshim i madh në sistemin shëndetësorë është bërë në heshtje./RADIO 1/