Nga 26 deri më sot (31 gusht) është mbajtur diskutimi publik lidhur me draftin e udhëzimit administrativ.
Për takimin e mbajtur sot, kryeshefi i grupit punues të udhëzimit administrativ, Besim Murtezani nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë se janë pranuar një varg vërejtjesh dhe sugjerimesh.
Ai ka thënë se për hartimin e këtij udhëzimi që u mundëson qytetarëve të komunave të Kosovës shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit nevojiten edhe tre apo katër ditë deri në përfundimin e tij.
Ai theksoi se drafti do të përfundojë të martën dhe më pas do t’i mbetet ministrit Krasniqi që ta nënshkruajë.
“Ne kemi punuar sot dhe i kemi inkorporuar shumicën e vërejtjeve dhe sugjerimeve. Udhëzimi ka qenë nga 26 deri dje dhe sot i kemi inkorporuar vërejtjet dhe e kemi përgatitur draftin për nënshkrim. Pastaj nënshkruhet nga ministri. Edhe tre ose katër ditë përfundon grupi me punën e vet e pastaj ministri mbetet që ta nënshkruajë. Të martën përfundon drafti i grupit punues”, deklaron Murtezani për Blic.
Ndryshe, disa ditë më parë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dhënë detaje në lidhje me procedurat për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat në veri.
Ai ka sqaruar se Grupi punues i themeluar duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë deri me datën 1 shtator të këtij viti, duke pohuar se kjo do të vlejë për gjithë vendin e jo vetëm për veriun./Njeshi/