Shtypi gjerman ka shkruar për dorëheqjen e kryeministrit serb Vuçeviq, por edhe për tablonë më të gjerë – protestat e studentëve. Sipas vlerësimeve të gazetarëve, protestat nuk do të ndalen as pas “sakrificës” së disa figurave politike.
E përjavshmja gjermane Spiegel shkruan: “Me gjithë ato kriza dhe luftëra në të kaluarën, një zonë konflikti në mes të Evropës ishte pothuajse plotësisht i humbur nga sytë”. Mijëra njerëz kanë protestuar në Serbi për javë të tëra kundër qeverisë së presidentit shumëvjeçar Aleksandar Vuçiq, e cila, sipas tyre, është e korruptuar. Shkaku ishte një tragjedi në Novi Sad, ku më 1 nëntor 2024, u shemb tenda e stacionit hekurudhor të sapo rinovuar dhe vrau 15 njerëz…Tani kryeministri i atij vendi ballkanik, Millosh Vuçeviq, ka dhënë dorëheqjen. Megjithatë, Vuçeviq mund të jetë vetëm një kokë turku, ai ka qenë në detyrë vetëm që nga maji i vitit të kaluar, vijon raportimi.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme?
Tabloidi Bild thotë: “Dorëheqja e Vuçeviçit ndoshta do të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dorëheqja duhet të konfirmohet nga parlamenti serb, i cili ka 30 ditë për të zgjedhur një qeveri të re ose për të thirrur zgjedhje të parakohshme.
Një tjetër program i televizionit gjerman ZDF në portalin e tij raporton për këto zhvillime. Në tekst ndër të tjera thuhet: “Studentët kanë shumë simpati në popullatë. Juristë, gjimnazistë, profesorë universiteti dhe fermerë mbështetën kërkesat e tyre. Qëllimi i tyre nuk është dorëheqja e politikanëve, por respektimi i standardeve të shtetit ligjor. Sipas vëzhguesve, kjo do ta bënte të vështirë ose të pamundur qeverisjen e presidentit Vuçiq”.
E përditshmja Tagesschau shrkuan : “Vëzhguesit thonë se kjo është kriza më e rëndë e pushtetit që po kalon Serbia që nga rënia e autokracisë së postkomunistit Sllobodan Millosheviq në vitin 2000”.
“Mosbesimi ndaj Vuçiqit është shumë i thellë”
E përditshmja zvicerane Neue Zircher Zeitung raporton për të njëjtën temë: “Dhe këtë herë qeveria ka bërë me siguri lëshime (…) Por protestuesit ende nuk besojnë se kjo do të çojë në ndryshimet e thella strukturore të kërkuara në vend. Mosbesimi ndaj Vuçiqit është shumë i thellë.
Ky medium thekson rolin e Kishës Ortodokse Serbe në krizë./Njeshi/