Lufta hibride e Serbisë pretendohet se ka ndikuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, duke përdorur një mjet të fuqishëm: mediat.
Halil Berisha, njohës i sigurisë kibernetike, theksoi se “Euronews” dega në Serbi ka shpërndarë shumicën e lajmeve lidhur me zgjedhjet në Kosovë, duke favorizuar Listën Serbe dhe duke anashkaluar partitë tjera serbe në Kosovë.
Kjo, sipas Berishës, është një reflektim i mbështetjes që regjimi i Aleksander Vuçiq i ka dhënë kësaj partie.
Lajmet që u shpërndanë ishin të një natyre të tillë që paraqisnin serbët në Kosovë si ata që ndodhen në një gjendje të vështirë dhe si të vetmit që mund të mbrohen nga Lista Serbe.
Në këtë mënyrë, Serbia ka përdorur mediat për të krijuar një narrativë të një shoqërie të ndarë dhe të pasigurt, duke minuar besimin në procesin zgjedhor në Kosovë.
Po ashtu, Berisha në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, përmendi një tjetër formë ndikimi, ku regjimi i Vuçiq-it premtoi 200 euro për serbët para zgjedhjeve, të cilat edhe janë shpërndarë tek disa prej tyre, pak para ditës së 9 shkurtit. /Njeshi/