Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë, që la të vdekur ish-rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, sot po mbahet seancë fillestare.
Nën masa të rrepta sigurie, tre nga 45 të dyshuarit për këtë krim u sollën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë tre të dyshuarit që prej 24, përkatësisht 25 shtatorit gjenden në masë të paraburgimit.
Për 42 të pandehurit e tjerë të rastit “Banjska” është propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë të tyre.
Aktakuza për sulmin në Banjskë u ngrit dy javë më parë, nga Prokuroria Speciale.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, përpara mediave kishte pohuar se për rastin janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur, janë marrë 120 pajisje elektrike si dëshmi dhe janë sekuestruar 1266 armë dhe pajisje të tjera. /Njeshi/