Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Serbi, e rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon.
Sinani tha se në vitet e ’90-ta kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë u detyruan të largoheshin në mënyrë masive për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit.
“Kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit. Sot, historia rrezikon të përsëritet”.
“Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, shkroi Sinani.
Tutje, ajo tha se Serbia nuk përballet me ndonjë kërcënim nga fqinjtë e saj, por përkundrazi, siç tha ajo, ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë treguan se teksa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon destabilizimin dhe aneksimin e veriut.
“Kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen pikërisht nga vetë Serbia! Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet”.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja”, shkroi Sinani. /Njeshi/