Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), ka dërguar një letër të rëndësishme drejtuar Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar mbështetje dhe stabilitet për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).
Letra vjen në prag të përvjetorit të 25-të të themelimit të RTK-së dhe evidenton disa probleme kritike që prekin këtë medium publik.
Në letër, SPERTK thekson se RTK është në kushte “shumë të rënda të punës”, duke e cilësuar situatën si “afër shkatërrimit”. Problemet kryesore të identifikuara janë: mungesa e ligjit të ri, mungesa e pronës dhe mungesa e financimit të përhershëm e të pavarur.
SPERTK bën thirrje për një “stabilitet financiar e ligjor”, duke kërkuar që Kuvendi të miratojë ligjin e ri për RTK-në, për të cilin është premtuar votim dy vite më parë.
“RTK nuk meriton buxhet të mbijetesës, por buxhet që garanton stabilitet, zhvillim e mundësi të investimeve në programe të reja,” thuhet në letër.
Njoftimi i plotë:
Letër drejtuar Kuvendit të Kosovës
Të nderuar deputete të Kuvendit të Kosovës RTK po hynë në përvjetorin e 25 të themelimit, në kushte shumë të rënda të punës, por edhe sa i përket ligjit të saj. Si çdo vit po ju shkruajmë edhe këtë herë kërkesat tona po mbeten të njëjta sepse ende problemet në RTK janë të vjetra e të njëjta.
1. Mungesa e ligjit të ri.
2. Mungesa e pronës.
3. Mungesa e financimit të përhershëm e të pavarur.
Kur po ju shkruajmë tani objektet sidomos në RTK-TV thuajse janë afër shkatërrimit, buxheti edhe ashtu i shkurtuar që pamundëson investim në program e i cili është obligim i yni i përbashkët ndaj taksapaguesve tanë.
Ju bëjmë thirrje sërish që ta ktheni vëmendjen ndaj RTK-së, t’i siguroni stabilitet financiar e ligjorë sepse ndryshe nuk do të mund të funksionojmë në situatën që jemi.
RTK nuk meriton buxhet të mbijetesës, por buxhet që garanton stabilitet, zhvillim e mundësi të investimeve në programe të reja.
Ju kërkojmë gjithashtu ta miratoni ligjin e ri për të cilin keni deklaruar se do ta votoni para dy viteve.
Nëse RTK përbën rëndësi për themeluesin Kuvendin e Kosovës, është momenti i fundit që të kthehet vëmendja ndaj RTK-së.
Në këtë letër kërkojmë nga ju që sa më parë ta kompletoni edhe bordin e RTK-së organ ky me shumë rëndësi për transmetuesin publik.
Të nderuar deputet, ne besojmë se ju do ta zgjidhni këtë situatë, ndryshe jemi të obliguar si Sindikatë përmes përfaqësuesit ligjor ta dërgojmë si lëndë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për RTK-në konkretisht pjesën ku saktësohet se sa duhet të ketë buxhet RTK, ndërsa RTK aktualisht funksionon me afro 2.2 milion me pak.
Mediumi publik është i rëndësishëm për një shtet demokratik siç është Republika jonë, andaj ju bëjmë thirrje sa më parë ta ktheni vëmendjen kah RTK dhe t’i kryeni detyrat tuaja që keni karshi RTK-së, si themelues. /Njeshi/