Katër ditë më parë Kori “Siparantum” ishte ngjitur u ngjit në Matthäuskirche në Berlin, si pjesë e koncertit “Around the Ëorld”. Ky koncert mblodhi bashkë ansamble dhe kore të shquara nga Greqia (Polychromon), Spanja (B-Tenors) dhe Lituania (ARTyn), duke krijuar një mbrëmje me dimensione të thella ndërkulturore dhe artistike.
Kori “Siparantum” u prezantua me një program të pasur që përfshinte vepra të kompozitorëve bashkëkohorë , kulmuar me premierën botërore të veprës “Hear my prayer, O Lord” nga kompozitori gjerman Christian Bährens. Kjo vepër u drejtua nga vetë autori, duke i dhënë interpretimit një karakter unik dhe një ndërlidhje të drejtpërdrejtë mes krijimit dhe ekzekutimit artistik.
Formacioni u përforcua nga solistët Rizah Jahaj, Leon Shehu, Erijon Palucaj, Diar Meholli dhe Kaltrina Miftari, ndërsa mbështetja pianistike u realizua nga Agron Shujaku dhe Denita Dedushaj.
Ky kor përmes një komunikatë për media ka bërë të ditur se në kuadër të festivalit ndërkombëtar ChoralSpace, Kori “Siparantum” mori pjesë në një sërë punëtorish muzikore dhe sesionesh interpretative, të cilat përfaqësuan një përvojë formuese për koristët në tërësi.
“Këto punëtori ishin të fokusuara ekskluzivisht në veprat e kompozitorit të njohur Ola Gjeilo, i cili ishte i pranishëm si kompozitor dhe pianist, duke kontribuar drejtpërdrejt në procesin interpretativ të veprave të tij dhe duke ndarë me pjesëmarrësit reflektime mbi procesin krijues, ngjyrimin estetik dhe ndërlidhjen midis tekstit dhe muzikës”, kanë bërë të ditur ata.
Në kuadër të paneleve të diskutimit dhe prezantimeve artistike, Kori “Siparantum” u ngjit në podiumin e sallës Otto Braun Saal, Berlin për të interpretuar veprën “Still” të Ola Gjeilo-s, nën shoqërimin ë pianistes Denita Dedushaj.
Gjithashtu, koristët e Siparantum-it, së bashku me ansamble të tjera pjesëmarrëse, patën mundësinë të përfshiheshin në një proces të thelluar muzikor nën drejtimin e dirigjentëve të mirënjohur nga vende të ndryshme të Evropës.
“Kjo qasje multidimensionale në punën me repertorin bashkëkohor solli një pasurim të ndjeshëm të përvojës interpretative dhe artikulative të korit, duke thelluar jo vetëm aftësitë vokale, por edhe ndjeshmërinë estetike dhe vetëdijen stilistike të interpretimit. Veprat e kompozitorit Ola Gjeilo, të karakterizuara nga ndërtimi i ngjeshur harmonik, linjat modale dhe teksturat me ngarkesë emocionale, u punuan përmes një procesi të kujdesshëm muzikor të udhëhequr nga një plejadë dirigjentësh, secili me qasje të veçantë stilistike dhe pedagogjike”.
Më 27 Prill 2025, në sallën prestigjioze të Filharmonisë së Berlinit, Kori “Siparantum” u ngjit në skenë në pjesën e parë të koncertit për të interpretuar premierën e veprës “Zanat e Malit”, vepër Premierë nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj.
Siç u bë e ditur “Zanat e Malit” u prit me entuziazëm nga publiku, dhe mori kritika pozitive nga muzikologë dhe adhurues të muzikës./Njeshi/