Nesër pritet të mbahet seanca e tetë konstituive e Kuvendit të Kosovës, tentativa e gjashtë për të zgjedhur kryeparlamentare, kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiun.
Edhe të martën pritet që kjo seancë të dështojë, pasi Opozita vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë, pra nuk japin vota për deputeten Haxhiu, pasi kjo e fundit – siç u deklarua më parë nga krerët e partive të mëdha në Kosovë, nuk është figurë unifikuese.
Në kontaktim me LDK-në, PDK-në dhe AAK-në për të marrë përgjigje nëse këto parti kanë ndryshuar qëndrim në lidhje me votimin e Haxhiut, nesër. Por, skenari nesër do të jetë i njëjtë – pra sërish bllokim pasi nga këto parti deklaruan se nuk ka asnjë ndryshim.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku për Klankosova.tv tha se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim.
Njëjtë janë deklaruar edhe nga LDK-ja. Deputetja Hykmete Bajrami për Klankosova.tv tha se nuk ka asnjë ndryshim, madje as nuk do të ketë.
Të njëjtin qëndrim mban edhe AAK-ja. Burimet brenda kësaj partie thanë: “Vazhdon të jetë e njëjtë. Nuk ka ndryshim”.
Ndërkohë, sa i përket partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka asnjë emër tjetër për këtë pozitë.
“Propozimi për Haxhiun si kryetare të Kuvendit nuk ndryshon”, tha ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati më 25 prill.
Njësoj janë deklaruar edhe deputetë të tjerë të VV-së të cilët vazhdimisht po fajësojnë Opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Rreth situatës aktuale politike në vend, kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Albin Kurti nuk ka komentuar asnjëherë – madje injorimi i tij ndaj gazetarëve të cilët vazhdimisht raportojnë nga Kuvendi, ka vazhduar që nga seanca e parë konstituive. /Njeshi/