Borussia Dortmundi dhe Real Madridi sonte nga ora 21:00 përballen në “Wembley” në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve për edicionin 2023/2024.
Dormundi me fitore do t’i jepte fund pritjes 27-vjeçare për këtë trofe, ndërsa do të ishte i dyti në histori të klubit gjerman, kurse “Los Blancos” përpiqet ta gdhendë në Ligën e Kampionëve për herë të 15-të.
Djemtë e drejtuar nga Edin Terziç triumfuan kundër Paris Saint-Germainiy për ta rezervuar biletën e finales, kurse djelmoshat e Carlo Ancelotti ua mohuan kundërshtarëve të ardhshëm një finale gjermane ndaj Bayern Munchenit, të cilën e eliminuan falë një rikthimi senzacional.
Trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terziç, i intervistuar nga faqja e UEFA-s, ka thënë se kundërshtari është i fortë, por është optimist se skuadra e tij mund ta fitojë ndeshjen. “Ne kemi luajtur shumë mirë deri më tani në Ligën e Kampionëve, duke e fituar me meritë të drejtën për të shkuar në këtë finale. Tashmë ne përballemi me një ekip shumë të fortë që e ka pasur shpesh këtë përvojë, por ne e dimë se një në 10 ndeshje ndaj Real Madridit mund ta fitojmë. Shpresoj që kjo të jetë ajo e duhura”, ka thënë Terziç/Njeshi/