5.6 C
Pec
E enjte, 13 Shkurt, 2025
https://www.njeshi.com/wp-content/uploads/2024/04/Radio-1-1.png

Sot i përfundon mandati Lajçakut, katër vjet ndërmjetësim në dialogun pa finale dhe me pak progres në zbatimin e marrëveshjeve

Sot i përfundon mandati emisarit në largim të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.

Diplomati sllovak që në fillim të viti 2020 mori ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mandatin po e mbyll me disa marrëveshje që Kosova e Serbia arritën nën ndërmjetësimin e tij, por zbatimit i tyre në praktikë ishte shumë i mangët.

Në një rast, vetë Lajçak kishte deklaruar se shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim të marrëdhënieve.

“Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë [në Kosovë dhe në Serbi] nuk janë gati për normalizim”, kishte theksuar Lajçak vitin e kaluar.

Gjatë ndërmjetësimit të tij dhe Borrellit, që korrespondoi edhe me ardhjen e kreut të VV-së, Albin Kurti, në pushtet, Kryeministri kosovar shkoi në dialog me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pa iu plotësuar kushtet që ai vetë si opozitar i kishte vënë.

Takimi i parë i nivelit të lartë – Kurti-Vuçiq – u zhvillua më 15 qershor 2021, në Bruksel, nën ndërmjetësimin e ish-Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell dhe të dërguarit të tij Miroslav Lajçak.

I dërguari evropian gjatë tentimeve për zbatimin e marrëveshjeve dhe normalizimin e raporteve u përballë edhe me shumë akuza nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij, të cikët e e “identifikuan” se është pozicionuar kundër Kosovës.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, kryeministrri Kurti më 18 shtator 2023 tha se në rundin e fundit të dialogut, Lajçak është “pozicionuar” kundër Kosovës, duke shtuar se ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”.

Kurti kishte thënë se dukej një koordinim mes Vuçiqit dhe Lajçakut për krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Në jo pak raste, Kurti personalisht, por edhe vartësit e tij si zëvendëskryeministri Besnik Bislimi apo edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kanë akuzuar Lajçakun si njeri që nuk është netural në dialog, por që po “punon për Serbinë”.

Për njëanshmëri Lajçak u kritikua edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Osmani kishte deklaruar se në procesin e integrimeve evropiane dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i njëanshëm ndaj Serbisë, në dëm të Kosovës.

Emërimi i tij u prit me skepticizëm edhe nga drejtuesit e mëparshëm të shtetit. Kur u emërua si ndërmjetës, u prit me shumë skepticizëm nga pala kosovare, meqë ai vinte ndaj një vend që nuk e njeh Kosovën.

Para se Lajçaku të merrte zyrtarisht detyrën e emisarit, në mars të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pati thënë se Lajçak ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Pak kohë më vonë, në maj të vitit 2020, Thaçi kishte thënë se nuk e ka vullnetin që si President i vendit të marrë pjesë në dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Çka arriti Lajçak për këto katër vjet?

Ruajtja e paqes, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ekskluzivisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës janë disa nga pikat e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e arritën dy vite më parë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Lajçakut.

Marrëveshja, kishte për synim që t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve – nga njohja e simboleve shtetërore deri te të drejtat më të mëdha për komunitetin serb në Kosovë.

Megjithatë, ajo që ndodhi në terren ishte gati krejt e kundërta e kësaj: rritje e tensioneve në veri të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe morën pushtetin; përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR; sulm i armatosur i serbëve kundër policisë së Kosovës; heqja nga qarkullimi e dinarit serb.

Njëzetë ditë pasi Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen, më 27 shkurt, 2023 – që deri atëherë njihej në opinion si “plani franko-gjerman” – në Ohër u ra dakord për një aneks-dokument për zbatimin e saj.

Edhe pse nuk u nënshkrua, BE-ja tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligimet që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Nga të gjitha pikat e marrëveshjes, deri më tash, u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.

Në maj të vitit 2023, Kurti dhe Vuçiqi miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur gjatë Luftës në Kosovë, me të cilën palët morën përsipër të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet që posedojnë, përfshirë edhe ato “konfidenciale”.

Palët, i njohën targat e makinave të njëra-tjetrës. Nga janari i vitit që shkoi , qytetarët e Kosovës nuk i mbulojnë më simbolet shtetërore me “sticker” kur lëvizin me automjete në territorin e Serbisë, dhe anasjelltas.

Por, çështja e targave shkaktoi një sërë krizash në veri të Kosovës, për shkak të insistimit të Qeverisë që makinat me targa serbe të riregjistrohen me targa të Kosovës.

Si pasojë, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, në nëntor të vitit 2022. Por, në fund të vitit 2023, qytetarët i zëvendësuan targat, ashtu siç kërkoi Qeveria e Kosovës.

Kalimi në targa të Kosovës ndodhi pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë – fshat në veri të Kosovës. Grupe të armatosura terroriste serbe sulmuan atje policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku. Në përleshjet mes Policisë dhe terroristëve, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e akuzoi Beogradin për këtë sulm. Përgjegjësinë e mori në Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, i cili ishte shpallur “non-grata” nga SHBA-ja.

Një sulm tjetër terrorist ndodhi edhe më 29 nëntor 2024, ku u sulmua kanali kryesor i Ibër-Lepencit, një sulm mbi asestet vitale të shtetit.

Edhe për këtë sulm Kosova, akuzoi Serbinë.

Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh që atëherë, por jo të gjitha janë zbatuar/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...