Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka ftuar krerët e subjekteve politike për një takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00, në Kuvendin e Kosovës.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se këtë po e bën në përpjekje të konsensusit për konstituimin e Kuvendit.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq, pjesëmarrja në takim është konfirmuar nga PDK, LDK, AAK e Nisma Socialdemokrate.
E të enjten, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës;
Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues./Njeshi/