8.1 C
Pec
E shtunë, 24 Shkurt, 2024

Spastrimi etnik i shqiptarëve në Luginë nga Serbia, këshilltarja e Kurtit i reagon ashpër BE-së

Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka kritikuar Bashkimin Evropian për përdorim të standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës dhe shqiptarët në Luginë.

Në një postim në Facebook ka shkruar se kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja lehtësisht bën thirrje që çështjet e brendshme si mbyllja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i Kushtetutës së Kosovës për përdorimin e valutës së EURO-s të jenë pjesë e diskutimeve e temave të dialogut në Bruksel.

“Por kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se vlejnë standarde tjera. Për shembull, pse asnjëherë nuk e dëgjuam të njëjtën thirrje nga BE-ja për çështjen e pasivizimit të adresave dhe spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve nga Serbia në Luginë? Apo për mos përmbushjen e marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë?”, shkroi Sinani.

Bujanoci, së bashku me Preshevën dhe Medvegjën përbëjnë atë që njihet si Luginë e Preshevës – e banuar me shqiptarë – në jug të Serbisë.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi më 2021 tha se Serbia, në mënyrë që të ulë sa më shumë që të mundet numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug të shtetit, po kryen një proces të quajtur “pasivizimi i banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë, qoftë në Evropën Perëndimore apo në Kosovë.

“Kjo masë, në thelb, është një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”, thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit.

“Kur adresa e përhershme e banimit ‘pasivizohet’ dhe hiqet nga libri amzë në Serbi, ai person praktikisht pushon së ekzistuari. Ata nuk mund të rinovojnë letërnjoftimin ose pasaportën e skaduar, të regjistrojnë makinën, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor ose shërbime sociale, të blejnë ose shesin prona, ose të votojnë në zgjedhjet lokale ose të përgjithshme”, thuhet në këtë raport.

Beogradi zyrtar, në përgjithësi, nuk e ka komentuar çështjen e pasivizimit të adresave.

Në muajin shkurt 2021, ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Marija Obradoviq, ka folur për pasivizimin e së drejtës së votës, duke thënë se kjo ndodh kur nga inspektimet në terren të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, konstatohet se vendbanimi i personave nuk është në adresën që e kanë paraqitur. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...