0.3 C
Pec
E hënë, 4 Dhjetor, 2023

Speciale jep informacione të përditësuara, flet për shqyrtimin e lirimit të Haradinajt

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor tregoi për zhvillimet në çështjet të cilat po i trajton kjo gjykatë, duke njoftuar edhe për marrjen e vendimit që të shqyrtohet mundësia për lirimin e parakohshëm të Nasim Haradinajt.

Griep tha se kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova ka theksuar se Haradinaj ka precedent disiplinor në Njësinë e Paraburgimit. Për këtë arsye, gjyqtarja kishte urdhëruar administratoren që të paraqes një raport lidhur me sjelljen e tij gjatë kësaj kohe.

“Po më 12 tetor, kryetarja vendosi se do të shqyrtojë modifikimin e dënimit të z. Nasim Haradinaj pasi të ketë marrë një raport nga Administratorja, Fidelma Donlon, lidhur me sjelljen e z. Haradinaj gjatë qëndrimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Ndonëse, kryetarja mori parasysh një sërë faktorësh që mund të jenë në favor të modifikimit të dënimit, ajo thekson se z. Haradinaj ka precedent disiplinor në Njësinë e Paraburgimit. Për këtë arsye, kryetarja urdhëroi administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar, në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij”, tha Griep.

Zëdhënësja e DHSK-së foli edhe për vendimin për lirimin e parakohshëm të Hysni Gucatit, i cili sipas saj është me disa kushte.

“Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, më 12 tetor 2023 vendosi të modifikojë dënimin e z. Hysni Gucati për lirimin e tij në bazë të disa kushteve. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit. Z. Gucati mbërriti në Kosovë më 17 tetor 2023”, tha Griep, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, Griep njoftoi se të njëjtëve më 16 tetor iu është vazhduar masa e paraburgimit.

“Në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, trupi gjykues, më 16 tetor urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Trupi gjykues vëren se në fazën në të cilën ndodhet procesi gjyqësor, nxirren në mënyrë të vazhdueshme emra dhe të dhëna të ndjeshme të dëshmitarëve për të akuzuarit. Trupi gjykues theksoi më tej atmosferën e vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe të ndërhyrjes në procese penale kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë arsye, trupi gjykues doli në përfundimin se ekziston ende rreziku që z. Thaçi dhe z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor dhe/ose të kryejnë krime të tjera. Gjithashtu, trupi gjykues konstatoi se vetëm nëpërmjet rregullave në fuqi për monitorimin e komunikimeve në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara mund të kufizohen komunikimet e tyre për të zvogëluar këto rreziqe”, njoftoi zëdhënësja e DHSK-së.

Sa i përket gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Griep tha se gjatë kësaj javë kanë dhënë në seancë të mbyllur dëshmitë e tyre dëshmitari i 29-të dhe 30-të në këtë proces si dhe seanca e radhës është caktuar për 30 tetor.

Krahas kësaj, në këtë konferencë javore u njoftua se seanca vijuese në çështjen ndaj Pjetër Shalës do të mbahet më 23 tetor.

“Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, versioni publik i vendimit mbi kërkesën urgjente të mbrojtjes për lirim të përkohshëm të z. Shala për arsye humanitare, i datës 17 gusht, u bë publik. Trupi gjykues e rrëzoi kërkesën me arsyetimin se mbrojtja e z. Shala nuk paraqiti informacion thelbësor për këtë vendim. Sidoqoftë, trupi gjykues theksoi se ky vendim nuk paragjykon kërkesa të ngjashme që mbrojtja mund të dorëzojë në të ardhmen. Seanca vijuese në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 23 tetor në orën 9:30 të mëngjesit. Të gjitha parashtrimet e protokolluara publike dhe vendimet që përmenden këtu gjenden në faqen e internetit të DHSK-së”, u tha tutje.

Ndërsa, lidhur me çështjen gjyqësore ndaj Salih Mustafës, Griep tha se Paneli i Apelit më 12 tetor ka lëshuar urdhër për përgatitjen e seancës së apelit që është planifikuar të mbahet më 26 dhe 27 tetor.

Vlen të theksohet se për çështjen ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, Griep njoftoi se gjykatësi i procedurës paraprake ka marrë vendim që gjuha e punës në këtë çështje të jetë anglishtja.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...