Grafitet që dikush i shkroi në Prishtinë kundër Fadil Gecit, vëllaut të Gani Gecit, po dalin të jenë problematike për krerët e UÇK-së në Hagë.
Të njëjtat, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë i ka përdorur si argumente për t’ia vazhduar paraburgimin ish-presidentit Hashim Thaçi.
Sipas ZPS-së, veprimet në Prishtinë kundrejt dëshmitarit të saj Fadil Geci, tregojnë klimën e intimidimit të dëshmitarëve në Kosovë, gjë që shkon në disfavor të lirimit të Thaçit nga paraburgimi dhe mbrojtjes në liri të tij.
“Më tej, ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë, për të cilën Gjykata e Apelit është pajtuar se është një ‘konsiderim kontekstual’ përkatës. Gjetje të ngjashme janë bërë në Aktgjykimin Gjyqësor Mustafa dhe Aktgjykimi i Apelit Gucati dhe Haradinaj.Trupi gjykues në Gucati dhe Haradinaj konsideroi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje e gjallë dhe kritike në Kosovë’,31 dhe vlerësoi dëshminë e ekspertit të mbrojtjes Robert Reid, i cili vuri në dukje se, në mbi 20 vjet në terren, ai kurrë nuk kishte parë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë. Kjo klimë e frikësimit të dëshmitarëve vazhdon të vazhdojë, siç është vërejtur nga Trupi Gjykues i Shalës dhe siç shihet në raportet e mediave pas dëshmisë së fundit në seancë publike”, ka thënë Prokuroria e Hagës duke përdorur si referencë një raportim të një mediumi kosovar për grafitet denigruese.
Kujtojmë se para rreth një muaji, në Prishtinë ishin shfaqur grafite denigruese ndaj Fadil Gecit, që paraprakisht kishte dëshmuar në seancë publike kundër krerëve të UÇK-së. /Njeshi/