Dëshmitarët e prokurorisë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë do ta përfundojnë dëshminë më 4 prill.
Lajmi është bërë i ditur në konferencën e së mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK)
Por, si do të rrjedhë ky proces pas 4 prillit?
Avokati, Ardian Bajraktari ka thënë se përfundimi i dëshmitarëve në fillim të muajit prill të këtij viti, nënkupton shkurtim të procedurës, procedurë kjo e cila tashmë është e stërzgjatur.
“Kjo fazë pasohet me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Zyra për Mbrojtje të Viktimave, si dhe dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse e ish krerëve të UÇK-së. Vlen të ceket se pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë dhe eventualisht të Zyrës për Mbrojtje të Viktimave, nuk ka asnjë rrethanë që mund të justifikohet vazhdimi i masës së paraburgimit për ish krerët e UÇK-së, si masa më e ashpër për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, ka thënë Bajraktari për media.
Avokati i njohur ka thënë se brenda këtij viti mund të ketë verdikt të gjykatës në shkallë të parë lidhur me këtë proces.
Ish-krerët e UCK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020./Njeshi&IO/