17.2 C
Pec
E hënë, 20 Maj, 2024

Spitali i Prishtinës, mbi 50 milionë euro investim dhe 400 vende të reja të punës

Kanë kaluar më shumë se dy dekada prej kur është premtuar se do të fillojë ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, i cili parashihet të ofrojë shërbime shëndetësore dytësore. Megjithatë, ky projekt i cili po vlerësohet të jetë një prej investimeve më të mëdha për shëndetësinë kosovare që nga pas lufta, vetëm tani ka marrë dritën e gjelbër për të filluar punimet.

Spitali i kryeqytetit, i cili planifikohet të kushtojë mbi 50 milionë euro investim, parashihet të ketë repartin e Kardiologjisë, Gjinekologjisë, Pediatrisë, Kirurgjisë së Përgjithshme, Endokrinologjisë e të tjerë.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku  thotë se pritet që shumë shpejt të tenderohet projekti dhe të fillojë ndërtimi i spitalit, derisa tregon se do mundësojë ofrimin e shumë shërbimeve shëndetësore për pacientët dhe punësimin e rreth 400 punonjësve shëndetësor.

Sadiku potencon se përfundimi i Spitalit të kryeqytetit mund të zgjasë deri në tre vite për shkak të specifikave të tij të ndërtimit.

“Do të jetë një prej investimeve më të mëdha për shëndetësinë e Kosovës pas luftës, diku mbi 50 milionë (euro) do të jetë ndërtimi i Spitalit të kryeqytetit sipas planifikimit që ka bërë kompania. Por, sigurisht që do të jetë një prej spitaleve që nuk ka as në rajon, është spital modern. Kompania që e ka dizajnuar, që është një prej kompanive shumë të njohura në Evropë për dizajnim të spitaleve, e ka planifikuar që ky me qenë një spital shumë modern. Të gjitha dhomat, diku 200 shtretër do t’i ketë spitali, nuk do të ketë asnjë dhomë me më shumë se dy shtretër dhe të gjitha dhomat do të jenë të pajisura, do të jenë me salla operative, me salla ekzaminuese. Sigurisht do të shkojë dy- tri vite (për t’u përfunduar), sepse është një spital shumë modern dhe ajo do të varet edhe prej kompanisë që përfiton”, thotë Sadiku.

Sadiku për KosovaPress, tregon se prona prej 4.5 hektarësh ku do të ndërtohet ky spital është vendosur të jetë në Prishtinën e Re, pranë Pallatit të Drejtësisë.

Ai thotë se këtë vit kanë ndarë afro 3 milionë euro për fillimin e ndërtimit të këtij projekti, i cili parashihet të kushtojë mbi 50 milionë euro.

“Pas analizës që iu është bërë kësaj prone, kompania ka vendosur që spitali të ndërtohet në këtë pronë e cila është e vendosur në Prishtinën e Re, te Pallati i Drejtësisë, në rrugën që shkon afër Hajvalisë, ku janë të ndara diku rreth 4.5 hektarë tokë për këtë spital. Sigurisht Spitali i Prishtinës tashmë është në fazën përfundimtare të bërjes së planit detal të tij. Ne kemi ndarë buxhet edhe vitin e kaluar për këtë spital, me shpresë që do të kryhet plani, se premtimi ka qenë që plani do të kryhet vitin e kaluar dhe pastaj nuk është bërë plani, është vonuar pak dhe ne kemi ndarë prapë sivjet. Dhe sivjet i kemi diku 2 milionë e 800 mijë euro buxhet, që është buxhet i vogël por vetëm për ta filluar projektin”, shprehet Sadiku.

Ndër të tjera, drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku potencon se rreth 40 për qind e shërbimeve në këtë spital do të dedikohen për trajtime jashtë spitalore, specifikisht shërbime ambulantore specialistike.

Sadiku derisa përmend se Spitali i Prishtinës parashihet të përbëhet nga reparti i Pediatrisë, Gjinekologjisë, Endokrinologjisë, Kirurgjisë së Përgjithshme e departamenteve të tjera, potencon se do të hapen rreth 400 vende të reja të punës.

“Do të ketë shumicën e departamenteve, Pediatrinë, Gjinekologjinë, Kirurgjinë e Përgjithshme, më pas Endokrinologjinë, departamente që janë shërbime sekondare. Dhe sigurisht do të ketë 40 për qind i spitalit do të jetë i dedikuar për trajtime jashtë spitalore, ambulanca specialistike. Diku rreth 400 vende të punës do të jenë për fillim dhe pastaj varësisht, spitali do të jetë i tillë që do të mund të zgjerohet sipas nevojave që do të ketë kryeqyteti”, potencon Sadiku. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...